Nga pensionet, te ligji i luftës dhe çështja e detit! Ministrja Elisa Spiropali në Athinë, siguron komunitetin shqiptar për garantimin e të drejtave

Shefja e diplomacisë shqiptare, Elisa Spiropali ka zhvilluar një tur takimesh të jashtëzakonshme në vendin fqinj, për të thelluar më tej bashkëpunimin mes Tiranës dhe Athinës zyrtare. Ministrja është pritur nga krerët më të lartë të Greqisë.
Elisa Spiropali ka zhvilluar një takim të ngrohtë dhe miqësor së pari me Presidentin Konstantinos Tasoulas, me të cilin kanë biseduar për vlerat e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë, mbi të cilat janë ndërtuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Shefja e diplomacisë shqiptare ka theksuar se mbështetja për integrimin europian të vendit tonë qëndron në zemër të marrëdhënieve dypalëshe, ndaj ka shprehur besimin se nën udhëheqjen greke të Presidencës së BE, Ballkani Perëndimor do të mbetet në krye të agjendës europiane.
Gjithashtu, ministrja jonë e jashtme ka patur një takim dhe konferencë të përbashkët edhe me homologun George Gerapetritis. Siç shkruan Elisa Spiropali, vizita zyrtare me ftesë të tij i ka lënë mbresat më të mira, për të çuar përpara këtë marrëdhënie të veçantë mes popujve tanë, si miq dhe aleatë europianë.
Shefja e diplomacisë shqiptare është pritur edhe nga ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin afatgjatë të Shqipërisë dhe Greqisë, si dy vende partnere në NATO që kontribuojnë aktivisht për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon, Europë e më gjerë.
Elisa Spiropali është shprehur hapur në Athinë, se Greqia duhet të heq ligjin e luftës, i cili qëndron ende në fuqi që nga Lufta e Dytë Botërore. Gjithashtu, ministrja ka theksuar se Tirana zyrtare mbetet e hapur për dialog në çdo kohë, edhe për çështjen e detit dhe delimitimin e zonës ekonomike detare.
Në përfundim të ngjarjeve zyrtare me përfaqësues të shtetit grek, ministrja e Jashtme e Shqipërisë ka shfrytëzuar maksimalisht kohën për biseda dhe takime edhe me komunitetin e madh shqiptar në Greqi.
Elisa Spiropali ka mbjatur një fjalë përshëndetëse edhe në një tryezë dialogu me drejtues, përfaqësues dhe sipërmarrës të Dhomave të Tregtisë të Greqisë, ku është folur për fuqizimin e potencialit ekonomik mes dy vendeve tona, mbi lehtësitë që Shqipëria ofron për sipërmarrjen konkurruese dhe për vizionin e transformimit të vendit si qendër ekonomike.
Vizita zyrtare e shefes së diplomacisë shqiptare në Athinë nuk mund të mbyllej më mirë sesa një mbrëmje festive që Ambasada e Shqipërisë në Greqi, nën kujdesin e diplomates Luela Hajdaraga, kishte organizuar për ministren Elisa Spiropali.
Ajo është takuar me një pjesë të madhe të përfaqësuesve të komunitetit shqiptar në Greqi, të cilët i kishin rezervua në një pritje të veçantë kuqezi në zemër të Athinës. Spiropali është shprehur para tyre, se gjatë detyrës së saj, do të përpiqet maksimalisht për të arritur Marrëveshjen për Pensionet.
Gjithashtu, ajo ka siguruar bashkëkombasit tanë në vendin fqinj, për garantimin e të drejtave dhe rritjen e aksesit në shërbime. Organizimi dhe ngrohtësia e mbrëmjes me kërcim, këngë e valle tradicionale shqiptare, është vlerësuar lart nga ministrja, e cila nuk e ka fshehur entuziasmin dhe krenarinë.