Nuk ka qetësi për trafikantët në Ekuador e Kolumbi, SPAK marrëveshje me prokurorët e vendeve në Amerikën Latine

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani dhe prokurorja Dorina Bejko morën pjesë më 2–3 dhjetor në takimin e nivelit të lartë të prokurorëve nga katër vende të Ballkanit Perëndimor dhe 11 vende të Amerikës Latine, i zhvilluar në selinë e EUROJUST-it në Hagë.
Gjatë fjalës së tij, Dumani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të frytshëm me agjencitë partnere dhe shkëmbimin e shpejtë të informacionit:
“SPAK ka kaluar nga një agjenci që kryesisht merrte informacion, në një institucion që furnizon partnerët ndërkombëtarë me të dhëna të verifikuara dhe operacionale, duke u shndërruar në një kontribues të vërtetë të sigurisë.”
Në kuadër të këtij takimi, kryeprokurori i SPAK zhvilloi takime bilaterale me homologët e Paraguajit, Perusë, Kilit, Brazilit, Kolumbisë, Republikës Domenikane dhe Ekuadorit. Gjithashtu, SPAK nënshkroi pesë memorandume mirëkuptimi me prokuroritë e Brazilit, Kilit, Kolumbisë, Republikës Domenikane dhe Paraguajit.
Qëllimi i këtyre marrëveshjeve dhe takimeve bilaterale është forcimi i bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht trafikut të lëndëve narkotike.
Këto aktivitete u zhvilluan brenda kuadrit të një eventi më të gjerë tre ditor, më i madhi i organizuar ndonjëherë nga EUROJUST, me partnerët e vendeve të treta, ku morën pjesë, veç vendeve të Bashkimit Europian, Ballkanit Perëndimor dhe Amerikës Latine edhe ato të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.
Fokus i këtij eventi ishte forcimi i bashkëpunimit operacional mes këtyre rajoneve dhe Bashkimit Europian.
Që nga viti 2024, Projekti i Drejtësisë Penale në Ballkanin Perëndimor (WBCJ) ka forcuar ndjeshëm lidhjet midis juridiksioneve të Amerikës Latine dhe Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë organizimin e një eventi të madh në Lima në shkurt 2025. Duke u bazuar në këtë, takimi i nivelit të lartë në Eurojust përfaqësoi një hap të rëndësishëm përpara, duke forcuar më tej bashkëpunimin gjyqësor dhe duke nxitur besimin midis partnerëve.
Autoritetet pjesëmarrëse e shfrytëzuan këtë mundësi për të zhvilluar 26 diskutime dypalëshe dhe për të nënshkruar 17 Memorandume Mirëkuptimi, duke përforcuar angazhimin e tyre afatgjatë për të luftuar së bashku krimin e organizuar global.