Pjesë e grupit të Rrajave! Kush janë Aldo Gjini dhe Islam Sefa, nga trafiku i drogës deri te vrasja në tentativë, çfarë i lidh ata me drejtësinë
SPAK “ka goditur” një grup të strukturuar kriminal këtë paradite në Fushë-Krujë, të akuzuar për trafik droge që nga viti 2020.
Aldo Gjini është një tjetër emër që del nga operacioni i SPAK kundër një grupi të trafikut të drogës, ku anëtar ishte edhe djali i ish-deputetit të PS, Rrahman Rraja. Ai nuk është i panjohur për blutë, teksa pas operacionit të SPAK iu komunikua masa në qeli.
Më 24 korrik të vitit 2021, ai është përfshirë në një plagosje në Tiranë. Ku pas “fërkimit” të dy mjeteve Gjini është konfliktuar me Altin Gjokën dhe Jetmir Marashin, për të parë se kush e kishte fajin në përplasjen e automjeteve, ata tentuan të shohin kamerat e sigurisë së lokalit, por kjo shkaktoi një sherr verbal mes tyre dhe Aldo Gjinit, i cili qëlloi me pistoletë në drejtim të Gjokës dhe Marashit e u largua më pas me makinë.
Por nuk mbaron me kaq, Aldo Gjini ka një dosje “të tejmbushur” në drejtësi pasi ai rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga EUROPOL për akuzat tentativë vrasje, trafikim armësh dhe municionesh luftarake. Ai dyshohet autor i një plagosje të ndodhur më 24 nëntor të viti 2020 në Luksemburg. Po ashtu, në vitin 2016 ai është arrestuar në Itali, për shpërndarje droge.
Nga ky operacion i SPAK një tjetër emër i njohur është përmendur, Islam Sefa u arrestua në korrik të vitit të kaluar në një lokal shumë pranë SPAK-ut, për trafik droge. Ai po priste një avokat kur agjentët e BKH-së ndërhynë për t’i vënë prangat në lokalin rreth 100 metra nga godina e Prokurorisë së Posaçme.
SPAK e akuzon atë si drejtuesin dhe financuesin të një grupi të trafikut të drogës në Gjermani në vlerën e 3.3 mln eurove. Organi i akuzës odentifikoi 12 anëtarë të grupit, 8 shqiptarë dhe 4 gjermanë. Sipas SPAK, grupi i drejtuar nga Sefa, gjatë viteve 2020-2021, kishte trafikuar në Gjermani në disa episode, sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit marijuana.
Ai është vëllai i Bujar Sefës i dënuar me 10 vite burg për kultivim të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.