Polifonia shtyn në sherr artistët, akuza nga juria e festivalit të iso-polifonisë: Shoqata “Labëria” donte ta sabotonte!

Festivali folklorik Kombëtar i Iso Polifonisë mbajtur në Vlorë në datat 12-13 dhjetor në edicionin e tij të 16-të, ka kaluar pa vëmendje mediatike, por debatet e zbuluara në fund në rrjetet sociale tregojnë “xhelozinë” që ka shkaktuar ky event kulturor. Termi “Iso-polifoni”, apo “Polifoni”, duket se është në qendër të debateve për këtë aktivitet. Shoqata “Labëria” që mban edhe titullin “Nderi i Kombit” I kërkoi ministrit Gonxhja të mos lejonte deformimin e termit dhe të ndërhynte për festivalin.
Sejmen Gjokoli, anëtar i Jurisë së këtij festivali ka nxjerrë në publik faktin se shoqata “Labëria” bëri gjithçka për të sabotuar festivalin, madje duke influencuar në grupe të ndryshme të polifonisë nga zona të Shqipërisë për të mos marrë pjesë në këtë festival.
Festivali u organizua nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale mbështetur nga Këshilli i Qarkut Vlorë dhe QK e Bashkisë Vlorë e grupet polifonike performuan në pallatin e Kulturës Labëria. “Djemtë e Lumit të Bardhë” të Selenicës, Shëndellia e Mallakastrës, Grupi i Tepelenës, Gurra e Picarit e Gjirokastrës, Grupi i grave të fshatit Selo, e Dropullit të Sipërm, Grupi “Djemtë e Bogonicës, “Grupi “Vëllezërit Çetiri” Gramsh, dhe Grupi polifonik Memaliaj, grupet si Himara, Piluri , “Jehona Zagorite”, “Çipini”, “Djemtë e Vlorës” e shumë të tjerë ishin present në këtë festival.
“U bë një përpjekje e madhe nga individë të veçantë e sidomos shoqata “Labëria” për ta sabotuar, ta sabotonin grupet. Aq e vërtetë kjo sa një degë e shoqatës diku nga Myzeqeja botoi Posterin e aktivitetit me një kryq të madh, si në kohën e luftës viheshin kryqe mbi kryqin e fashizmit. U përpoqa përmes kryetarit të shoqatës në Tiranë ta argumentoja se nuk është mirë të futet shoqata në këtë luftë me kryqe…
Si përfundim në të dy netët e festivalit erdhën të gjitha grupet e planifikuara, me përjashtim të një grupi jo publik të qytetit të Vlorës i cili më shumë besohet se ka qenë duke konsumuar ndonjë trapezë rakie se sa për reagim ndaj thirrjes së shoqatës. Si anëtar i jurisë pashë përpjekje të grupeve për cilësi por kuptohet jo pa mangësi në cilësi. Ajo që më la përshtypje pozitive ishte pjesëmarrja dhe vlerësimi nga grupet por edhe disiplina artistike e skenike ashtu si, deri diku edhe veshja, sidomos krahasuar me disa festivale të kësaj natyre vite të shkuara.
Ajo që do të trajtoja me forcë rreth këtyre aktiviteteve është trajtimi ekonomik e financiar që duhet të kenë bartësit dhe interpretët e kësaj dukurie shpirtërore. Dhe mendoj se këtu duhen bërë bashkë zërat që u dhëmb kënga tradicionale e shpirtërore e popullit pavarësisht emrit që thirret. Por një mëndje dhe dorë e padukshme e tinzare, për mua agjenturore, ka futur “lavrën” plot helmatosje e përçarëse. Në vend që individë e shoqata të kërkojnë përkujdesjen e shtetit për ata që bartin e interpretojnë këtë mënyrë të kënduari, përkundrazi merren akoma me emërtimin.
Dhe kulmi është kur shoqata “Labëria” bëhet kryeshoqata e Shqipërisë ku këndohet kënga me Iso , pa pyetur se në “Kryeveprën Botërore të Njerëzimit”, kënga e Labërisë është vetëm një pjesë, krahinat e tjera kanë pjesën e vet”, komenton Sejmen Gjokoli në faqen e tij në rrjetet sociale.
Në ditët para zhvillimit të aktivitetit, Shoqata “Labëria” që mban edhe titullin “Nderi i Kombit” i kërkoi Ministrit Blendi Goxhe të mos lejonte përdorimin e termit Iso-Polifoni, por vetëm “Polifoni”.
E duket se termi ka qenë shkaktar i “sherrit” mes artistëve të polifonisë. “Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, bazuar në misionin e saj të miratuar sipas ligjit, nuk do të pranojë zhvillimin e asnjë aktiviteti nën termin “Iso-Polifoni”, por vetëm nën termin “Polifonia Shqiptare”. Miratuesit e Rezolutës që shprehen kundër termit “Isopolifoni” janë akademik, profesor, deputet, muzikantë, artist, historian dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, si dhe personalitete të Labërisë, mbartës të këngës labe, që janë të shqetësuar për këtë tjetërsim”, shkruhet në reagimin e shoqatës “Labëria”.