PROFIL-Zgjidhet kreu i SPAK, kush është Klodian Braho, karrriera e tij në sistemin e drejtësisë

Klodian Braho do të jetë kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme. Braho u zgjodh me 7 vota nga anëtarët e KLP-së.

Braho, i emëruar prokuror në vitin 2007, është pjesë e strukturës së posaçme që prej krijimit të saj dhe aktualisht drejton seksionin kundër korrupsionit.

Me një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe me eksperiencë të theksuar në çështjet e korrupsionit, Braho ka qenë në krye të disa prej hetimeve më të bujshme të dekadës së fundit. Ai është prokurori që ka hetuar çështjen e inceneratorit të Elbasanit, ku lëshoi urdhër-arreste për personazhe kyçe si Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, si edhe vendosi ndarjen e hetimit për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj.

Në portofolin e tij përfshihet gjithashtu hetimi i dosjes “5D”, që çoi në gjyq ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës, si edhe dosja e njohur “Toyota Yaris”, e cila mbetet ende në hetim në disa fraksione të saj.

Braho është pjesë edhe e grupit të prokurorëve që firmosën dërgimin për gjykim të çështjes ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu.

Me zgjedhjen e tij në krye të SPAK, pritet që Braho të vijojë me një qasje të fortë ndaj hetimeve të nivelit të lartë, në një moment kyç për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT