Provoi të merrte drejtimin e SPAK-ut, por hoqi dorë nga AKSHI! Prapaskenat e hetimit të dosjes së nxehtë, Bledar Maksuti zëvendësoi kolegun dhe mori përsipër “barrën e rëndë”

Tenderat e AKSHI-it që “i prenë kokat” disa prej zyrtarëve ka qenë një prej temave më të nxehta përgjatë këtyre ditëve të fundit! Operacioni i ndërmarrë një ditë më parë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u shtri gjerësisht në kryeqytet, konkretisht në zonën e Kodrës së Diellit, ku oficerët e BKH-së “zbarkuan” në terren për të ekzekutuar urdhër-arrestet e firmosura nga prokurori Bledar Maksuti.

Megjithatë, ky prokuror i posaçëm nuk ishte ai që hapi këtë dosje voluminoze, nga e cila u caktuan masat e sigurisë “arrest shtëpie” për drejtoreshën Mirlinda Karçanaj dhe “arrest me burg” për Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiri.

Ka qenë gazetarja Anila Hoxha e cila ka zbuluar se fillimisht abuzimi me tenderat e AKSH-it po hetohej nga prokurori i posaçëm, Elvin Gogaj, mirëpo me një vendim të marrë krejt papritur këtë “barrë të rëndë” ja ka kaluar kolegut Maksuti.

Gogaj i cili vendosi që të kandidonte për garën e kreut të Prokurorisë së Posaçme, krejt papritur la përgjysmë hetimet për këtë dosje voluminoze e cila nxori në dritë abuzimet, favorizimet dhe përfitimet miliona euro nga tenderat.

“Më shumë se kurrë duhet bërë transparencë për dosjen e AKSHI-t. Ne kemi patur dy prokurorë të çështjes, nga njëra anë ka qenë Elvin Gokaj. Veprat penale janë të forta. Deri në verë e ka pasur Elvin Gokaj, dhe e ndërpret befas hetimin nga burimet e mia. Dhe dosja i është kaluar Bledar Maksutit. Nuk ka transparencë për këtë gjë”, tha gazetarja Anila Hoxha një ditë më parë.

Një hetim i gjerë i Prokurorisë së Posaçme, i zhvilluar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, ka zbuluar një skemë të dyshuar kriminale të manipulimit të tenderave publikë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, përmes presionit, dhunës dhe heqjes së paligjshme të lirisë.

Sipas SPAK, hetimi ka çuar në caktimin e masave të sigurisë për tetë persona, me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mes personave ndaj të cilëve janë vendosur masa janë edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si dhe zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi, për të cilat gjykata ka vendosur masën e “arrestit në shtëpi”.

Më herët u bë me dije se në qendër të hetimit janë edhe Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri, të cilët akuzohen për disa vepra të rënda penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë në tendera, heqjen e paligjshme të lirisë, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Për ta është vendosur masa e “arrestit me burg”, por ajo nuk është ekzekutuar, pasi të dy nuk janë arrestuar gjatë operacionit.

“Në kuadër të veprimtarisë së grupit të strukturuar kriminal, shtetasit e dyshuar kanë konsumuar veprën penale të konkurrencës së paligjshme përmes dhunës dhe kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, duke i hapur rrugë kompanive të paracaktuara për t’u shpallur fituese”, thuhej në njoftimin e SPAK.

Personat e përfshirë në këtë skemë kanë ushtruar presion ndaj përfaqësuesve të kompanive që merrnin pjesë në procedura tenderimi, duke i detyruar ata të tërhiqnin ankesat administrative. Ky veprim, sipas organit të akuzës, ka favorizuar kompani të paracaktuara, të cilat përfitonin kontratat publike, në raste kur shqyrtimi i ankesave mund të kishte ndryshuar rezultatin e garës.

Në këtë çështje dyshohet se është përfshirë edhe një zyrtar i Policisë së Shtetit. Sipas SPAK, Erion Ismaili, zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, është vënë nën masën e “pezullimit nga detyra” dhe “ndalimit për të dalë jashtë vendit”.

Gjithashtu, tre biznesmenë të tjerë, Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta, akuzohen se kanë qenë pjesë e skemës së manipulimit, përmes lëshimit të faturave fiktive ose pjesëmarrjes formale në gara tenderimi, pa kryer realisht shërbime apo punë. Për ta është vendosur masa e sigurimit “ndalim për të dalë jashtë vendit”.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është një nga institucionet më të rëndësishme dhe më të ndjeshme në vend, pasi administron infrastrukturën kryesore të qeverisjes digjitale, përfshirë shërbimet e platformës e-Albania, e cila shërben si kanal kryesor mes qytetarëve dhe institucioneve shtetërore për marrjen e dokumenteve dhe shërbimeve publike.

Sipas SPAK, hetimi ngre dyshime serioze se struktura e AKSHI-t dhe procedurat e saj të prokurimit janë përdorur nga një grup kriminal për të përfituar fonde publike, duke përdorur metoda që përfshijnë presionin dhe dhunën ndaj rivalëve. Krahas dyshimeve për abuzim financiar, çështja ngre shqetësime edhe mbi rrezikimin e sigurisë kombëtare, për shkak të natyrës së sistemeve dhe të dhënave që administron kjo agjenci.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT