Putin një ditë para takimit Zelensky-Trump: Nëse Ukraina s’i jep fund luftës në mënyrë paqësore, qëllimet do t’i arrijmë me forcë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se Ukraina nuk po nxitohet për të arritur një zgjidhje të konfliktit ndërsa theksoi se nëse Kievi nuk dëshiron të zgjidhë luftën në mënyrë paqësore, Moska do të arrijë të gjitha qëllimet e saj me forcë.
Kjo deklaratë e Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin vjen një ditë përpara takimit të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky me homologun e tij amerikan, Donald Trump.
Agjencia ruse e lajmeve TASS raportoi se Putin theksoi se Rusia vlerëson përpjekjet perëndimore për t’i ofruar Ukrainës kushte të favorshme në fushat e sigurisë, rindërtimit dhe marrëdhënieve bilaterale, por Kievi nuk është i gatshëm për një marrëveshje paqësore.
Putin gjithashtu u rikthye tek fillimet e konfliktit, duke akuzuar Kievin se “e nisi luftën në vitin 2014” dhe duke theksuar se Rusia po përpiqet vetëm ta përfundojë atë.
Ai përmendi grushtin e shtetit në Kiev në vitin 2014 dhe pretendoi se Moska kërkoi t’u japë të drejtën e vetëvendosjes banorëve të Ukrainës juglindore, por kërkesa e saj nuk u mor parasysh.