Që prej 8 dhjetorit “i ngujuar” poshtë kryeministrisë, Lapaj thirrje për pjesëmarrje masive në protestë: Ramës i ka ardhur koha për të ikur

Adriatik Lapaj vijon qëndresën e tij poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama që prej datës 8 dhjetor. Mbrëmjen e sotme ai i ka bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në protestën e 4 janarit, ku sipas parashikimeve të Lapajt, pritet të jetë madhështore.
Referuar revoltave që kanë shpërthyer në shumë anë të partive opozitare dhe skandaleve që kanë përfshirë institucione shtetërre, Lapaj thotë se Ramës i ka ardhur koha për tu larguar nga pushteti.
“Sot kemi nisur organizimin për protestën e datës 4 janar. Në orën 12:00 i madh e i vogël, nga cdo shtresë sociale, nga çdo cep i vendit, nga fermerët që janë përmbytur e nuk kanë marrë dëmshpërblimet, duhet të bashkohen masivisht për të kërkuar dorëheqjen dhe largimin e klikës në pushtet. Vendi ka filluar të ngjallet nga vdekja klinike. Sa protesta kanë ndodhur në këto 3 javë nga grupime të ndryshme, nuk ka pasur në 3 vitet e fundit.
Këta e kishin kapur dhe marrë peng debatin publik. Qytetarët që po reagojnë po imponojnë një agjendë të re. Kishte muaj që dëshmohej se zv/kryeministrja ishte kapur në flagrancë duke vjedhur para e qytetarëve, por vetëm heshtje…Janë munduar edhe ta relativizojnë duke thënë këta të korruptuar janë, ‘por ja na ikën këta kush do vijë?”. Do na vijnë njerëz të pakorruptuar, sepse nuk i kanë rrënjët që kanë këta dhe tjetra të gjithë e kanë kuptuar se edhe nëse vjedh vjen një ditë që nuk shpëtim…”, tha ai.