“Ramën nuk do ta rrëzojmë me dhunë”, Berisha vlerëson punën e SPAK: Ka dokumentuar abuzime miliarda euroshe dhe ka hequr çdo maskë

Kreu i PD-së Sali Berisha, nga konferenca me gazetarët në selinë “blu”, sërish ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, teksa tha se rrëzimi i tij do vijë me mjete demokratike. Kryedemokrati tha gjithashtu se Partia Demokratike nuk do të bëhet një parti dhune, pasi beson tek Paqja.
Ndërsa më tej, lideri demokrat, tha se “regjimin e Edi Ramës, nuk ka forcë në botë që e mban në pushtet“.
“Të gjitha këto eksperienca, pse unë po i citoj sot dhe do i citoj, i citoj dhe do i citoj sepse ne jemi ne forcë demokratike që drejtohemi vetëm nga parime demokratike. Ne nuk bëhemi parti dhune sepse ne besojmë se paqja është një forcë e jashtëzakonshme. Në besojmë se Edi Rama, ky regjim i kalbur, largohet vetëm kur opozitarët të lënë mënjanë lodhjen e tyre, të lënë mënjanë dëshpërimin e tyre, rraskapitjen e tyre dhe të dalin në shesh çdo ditë. Nuk ka forcë në botë që e mban në pushtet Edi Ramën në qoftë se ne i pushtojmë sheshin. Kjo është rruga”, deklaroi Berisha.
Më tej, Berisha ka vlerësuar edhe punën e SPAK, teksa tha se ka zbuluar abuzime miliona apo miliarda euroshe dhe se ka hequr çdo maskë të abuzuesve me paratë e shqiptarëve.
“Ne, në kushte kur ky regjim, Edi Rama, pasi është dokumentuar jo tashmë vetëm nga opozita, por edhe nga hetimi i prokurorisë se kanë abuzuar miliona dhe miliarda para të taksapaguesve dhe ka hequr çdo maskë në mbrojtje të flaktë në mbrojtje të abuzimeve të tmerrshme me paratë e shqiptarëve sepse është vetë direkt i implikuar”, tha ai.