Rindërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti, qeveria akordon 540 milionë lekë, përfitojnë qytetet si..

Këshilli i Ministrave ka miratuar dy vendime të rëndësishme që zhbllokojnë një fond total prej rreth 540 milionë lekësh (pa TVSH) për financimin e rindërtimit të banesave individuale.

Sipas vendimeve të zbardhura, fondet do të përdoren për ata qytetarë shtëpitë e të cilëve janë klasifikuar me aktekspertizë të thelluar si objekte që duhen rindërtuar nga e para.

501 milionë lekë për 4 bashki

Qeveria ka bërë një shtesë në vendimin e datës 26.12.2024, duke alokuar një fond prej 501,942,235 lekësh për vitin 2025. Këto para do të transferohen në formën e transfertës së pakushtëzuar për katër bashki kryesore, me qëllim dhënien e granteve për qytetarët.

Ndarja e fondit sipas bashkive është si më poshtë:

Bashkia Krujë: 177.8 milionë lekë (Përfituesja më e madhe).

Bashkia Vorë: 140.8 milionë lekë.

Bashkia Durrës: 136.6 milionë lekë.

Bashkia Shijak: 46.7 milionë lekë.

Financim shtesë për Shijakun

Përveç fondit të mësipërm, Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të veçantë vetëm për Bashkinë e Shijakut. Kësaj bashkie i është akorduar një fond shtesë prej 37,228,725 lekësh (pa TVSH).

Kjo do të thotë se në total, Bashkia e Shijakut do të përfitojë rreth 84 milionë lekë nga këto dy vendime për të vijuar me ndërtimin e shtëpive individuale për familjet e prekura.

Të dyja vendimet hyjnë në fuqi menjëherë dhe efektet financiare do të përballohen nga zëri “Fondi i Rindërtimit” në Buxhetin e vitit 2025.

Ministria e Financave dhe ajo e Infrastrukturës janë ngarkuar për ekzekutimin e shpejtë të këtyre transfertave.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT