Sali Berishës i përfundon mandati, zbulohet kur do të mbahen zgjedhjet për kryetarin e ri të PD
Përfaqësuesi i PD, Indrit Hoxha, ka zbuluar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania se kur pritet që të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike. Indrit Hoxha bëri me dije gjithashtu edhe se kur pritet të mblidhet Kuvendi i PD-së.
Hoxha tha se në muajin Prill të vitit të ardhshëm përfundon mandati 4-vjeçar i Sali Berishës në krye të selisë blu, Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë së PD. Për këtë arsye, brenda Prillit 2026 pritet të mbahen zgjedhjet e reja në parti. Sakaq, ai theksoi se Sali Berisha ka konfirmuar pjesëmarrjen në garë.
“Në prill është e sigurt se mbarojnë afatet si për kryetarin, ashtu edhe për Këshillin Kombëtar dhe për Kryesinë e Partisë Demokratike. Mbushet katërvjeçari i mandatit dhe do të ketë garë. Zoti Berisha e ka thënë: “Ka garë, unë jam në garë, do të rikandidoj. Tani, kush do të kandidojë le të futet ta sfidojë. Po fitoi, unë do të shkoj i pari t’i jap dorën për këtë gjë.”-tha Hoxha.
Indrit Hoxha nënvizoi se Kuvendi është parashikuar të mbahet në prill, megjithatë, ai la të hapur mundësinë që Kuvendi të zhvillohet edhe më herët, nëse situatat politike brenda partisë apo zhvillime të tjera e kërkojnë një gjë të tillë.
“Kuvendi është i përcaktuar që do të mbahet në prill, pasi është organi që mund të përmbysë dhe të ndryshojë statutin e PD-së. Nuk e di, PD mund të mbajë edhe një kuvend më herët se prilli, pasi mund të kemi ngjarje më herët.”-tha Hoxha.