Salianji në Gjirokastër me sallën plot, kritikon hapur PD-në e Berishës: Tjetër gabim sot opozita, si ka mundësi që i dhanë Ramës dhe Avokatin e Popullit

Në sallën plot të mbushur në Gjirokastër, ish-deputeti i Partisë Demokratike në takimin me qytetarët, ka kritikuar hapur PD-në e Berishës nisur nga humbjet, mosanaliza e brendshme e deri tek debati për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit.
Teksa renditi gabimet e Partisë Demokratike në kohë, Salianji tha se PD i mungon strategjia dhe se është e turpshme që opozita më e madhe në vend, të mos ketë guximin të këmbëngulë në kandidaturat e veta për Avokatin e Popullit. Ish-deputeti tha se ky gabim i fundit i demokratëve, i dha Ramës të drejtën për të zgjedhur kë ai dëshiron në postin e Avokatit të Popullit.
“PD duhet të ringrihet, për të mbushur sheshet. Nëse ne nuk kemi guxim të ndryshojmë veten Shqipëria do ta ketë të vështirë, të ndryshojë. PD po duket që po atrofizohej, nuk po analizonte veten e vet. Sot më vjen mirë që pas fuqisë së demokratëve, PD sot është në një tjetër marsh. Ka më shumë takime, analiza e debat. Në fund, dua të them se ne kemi diskutuar se si PD ka bërë gabime në sistemin zgjedhor, lënien e mandateve, ndarjen territoriale, tek mosvlerësimi i njerëzve që janë votuar tek qytetarët. Por edhe sot PD na paska bërë një gabim tjetër, i jap të drejtë Berishës që tha për Avokatin e Popullit. A duhet vetëm të qajmë për gabimet që bëjmë. Si mundet PD dhe grupi parlamentar të shkojë pa strategji dhe ti japë Ramës 15 emra dhe të zgjedhë cilin të dojë. Si mundet PD të mos ketë guximin të thotë që kandidatura jonë do jetë Adriana Kalaja, Skënder Aluci. Si ka mundësi që PD nuk mban qëndrim të qartë…”, tha ai.
Kuvendi pritet të votojë në seancën maratonë të ditës së sotme për Avokatin e Popullit me 6 kandidaturave të paraqitura. Të gjithë kandidatët kanë marrë firmat e nevojshme nga opozita, për të cilët këta të fundit kanë tërhequr mbështetjen, akt i cili nuk iu njoh në parlament.
Ndërkohë PD festoi sot 35-vjetorin e themelimit në një festë të organizuar në selinë blu ku Salianji nuk mori pjesë po vijoji takimet e tij jashtë programit partiak dhe i vetëm në krye me qytetarët.