Si do jetë e ardhmja e Gjirokastrës?

Ark. Agron Doraci
Shtrohet sot një pyetje e madhe: Si do të jetë e ardhmja e qytetit magjik të Gjirokastrës? A do të jetojë ky qytet i rrallë, apo do të shuhet gradualisht nën peshën e problemeve të grumbulluara
Unë besoj se Gjirokastra mund të jetojë, por predispozicioni për “t’u sëmurur” është real. Dhe në këtë rast mjekun duhet ta kemi në gadishmëri, mjeku është shteti.
Gjatë karrierës sime të gjatë, mbi 60 vjeçare në Gjirokastër, kam shoqëruar vizitorë të huaj. Në vitin 1971 qytetin e vizitoi arkitekti i madh italian Karbonara, autor i Enciklopedisë së Arkitekturës Italiane. Dy vjet më vonë një tjetër arkitekt i shquar nga Suedia vizitoi Gjirokastrën. Të dy u mahnitën nga vlerat e saj arkitekturore, por paralajmëruan dy probleme serioze:
1.Mungesën e rrjetit të brendshëm të qarkullimit rrugor në qytetin historik, pra ka probleme urbanistike që duhen zgjidhur
2.Mospërputhjen midis mënyrës moderne të jetesës dhe strukturave funksionale të banesave mesjetare. Probleme arkitektonike funksionale që gjithashtu duhen zgjidhur se zhvillimi nuk mund të frenohet.
Sipas tyre, këto janë rreziqet kryesore për të ardhmen e qytetit muze të Gjirokastrës. Zgjidhja është e mundur, por kërkon kosto të larta për banorët dhe shtetin. Ata përsëritën disa herë një të vërtetë të dhimbshme se ‘’Armiku më i madh i këtij qyteti është vetë zhvillimi’’. Ky mendim ka mbetur thellë në ndërgjegjen time.
Është e drejtë universale që qytetari të administrojë pronën e tij. Por trashëgimia kulturore, sidomos një qytet i shpallur muze nga UNESCO, i tejkalon të drejtat individuale, sepse lidhet me identitetin e popullit tonë. Prandaj duhet të ketë ekuilibër mes tyre, të vendosur qartë me ligj.
Aktualisht, ligji për monumentet e kulturës i ngarkon përgjegjësi të shumta qytetarit, por thuajse asnjë detyrim shtetit. Mbështetja financiare është e dobët. Edhe për një ndërhyrje minimale, një pikim çatie, qytetari detyrohet të kërkojë leje dhe projekt, ndërkohë që në Gjirokastër ka shumë pak specialistë të licencuar për restaurim.
Është krejt e arsyeshme që:
•Projektet brenda Qendrës Historike t’i hartojë shteti, pa pagesë,
•Shteti të marrë përsipër një pjesë të shpenzimeve të restaurimit,
•ligji të rishikohet për të garantuar këtë mbështetje.
Ka mjaft çështje të tjera të domosdoshme për t’u rishikuar Në Gjirokastër ka disa probleme urgjente që kërkojnë analizë dhe debat publik:
•Lejimi i përdorimit të materialeve të reja, të maskuara me mjeshtëri, edhe në monumente të kategorisë së parë, për të rritur jetëgjatësinë e tyre.
•Rishikimi i kategorizimit të monumenteve dhe të vetë Qendrës Historike. Jo për ti zbehur vlerat përkundrazi për ti rritur ato.
•Rritja e detyrimeve financiare të shtetit në procesin e restaurimit.
•Formimi i një fuqie punëtore të specializuar, sepse sot mungon seriozisht.
•Kualifikimi i specialistëve të rinj në projektim, restaurim dhe drejtim punimesh, pasi struktura e ndërtimeve të Gjirokastrës është e veçantë.
Ndërtimet prej guri, janë struktura të ngurta, jo elastike, kërkojnë njohje të thellë të teknikave tradicionale. Çdo ndërhyrje e gabuar krijon deformime dhe dëmton origjinalitetin. Shumë monumente tashmë nuk janë më origjinale në detaje. Në praktikë ka raste që nga mos njohja e vlerësimi deformohen elementet arkitektonik tradicionalë, sidomos strehët e çative.
Sizmiciteti – një detyrim që duhet fiksuar me ligj
Në këto banesa jetojnë familje. Prandaj restaurimi duhet të garantojë rezistencë sizmike deri në 8 ballë të shkallës merkal, sipas normave shtetrore në fuqi në Republikën tonë, kjo dhe për Gjirokastrën. Ky detyrim duhet të jetë i qartë në ligj.
Të projektosh dhe të restaurosh në Gjirokastër nuk mjafton vetëm vullneti, dëshira, njohja e arkitekturës; duhet zotërimi i plotë i strukturës tradicionale prej guri, filozofia e saj, teknika e ndërtimit dhe etika e ruajtjes.
Gjirokastra është pasuri e Shqipërisë dhe e botës. Zgjidhjet ekzistojnë, por kërkojnë vullnet politik, mbështetje financiare. përgjegjësi qytetare dhe institucionale. Qyteti mund të jetojë, dhe duhet të jetojë, por vetëm nëse shteti merr rolin që i takon: të jetë mjeku i përhershëm i kësaj trashëgimie të jashtëzakonshme.



