“Si mund të jetë estetike një shpend i gjakosur”/ Braçe “shpërthen” ndaj ministrit të Mjedisit: Po u jepni armë 25-vjeçarëve…

Deputeti i PS, Erion Braçe ka kundërshtuar ashpër projektligjin për gjuetinë. Braçe ironizoi Ministrin e Mjedisit Sofjan Jaupaj dhe deputetin Vullnet Sinaj që mbrojtën ligjin, ndërsa kritikoi ashpër përkufizimin e kurtheve për të kapur kafshët.
Braçe ngriti shqetësimin edhe për distancat e sigurisë, duke thënë se 300 metra larg shkollave apo zonave të banuara nuk mjafton, sidomos kur gjuetarët mund të mos kenë përvojën e duhur. Kritika të forta pati edhe për moshën minimale të gjuetarëve, që propozohet të jetë 25 vjeç.
Po shkoj më tej: në përkufizime thuhet që zonat e gjuetisë të mos përfshijnë qendra ekonomike, sportive dhe fetare dhe të jenë 300 metra larg tyre. Po të jetë një gjuetar pa nishan, e kuptoni çfarë mund të ndodhë 300 metra larg një shkolle? Për zonat e mbrojtura, distanca është vetëm 200 metra. Kjo nuk garanton asgjë.
Gjuetar konsiderohet personi fizik, shtetas shqiptar ose i huaj, që ka mbushur moshën 25 vjeç. Këta 25‑vjeçarët i keni në poligone duke bërë qitje, duke u stërvitur për të qëlluar në shenjë, dhe tani u jepni pushkë për t’u stërvitur me shënjestra të gjalla, që janë kafshët. Kjo mosha 25- vjeç nuk vlen më, s’mund të bëhet gjuetar në atë moshë, se nesër e ke kontingjent krimi”-, tha ai.