Si u mor peng Ilir Topçiu në Bilisht, vëllai i deputetit të PD dhe dy miqtë e tij i fikën cigare në ballë, e rrahën barbarisht në magazinën e “Duçes”
Altin Nallbati, vëllai i deputetit demokrat Bledjon Nallbati, dhe dy miqtë e tij Marsel Buçi e Trajan Çeliku do të qëndrojnë 40 ditë në qeli, në paraburgim, për pengmarrjen dhe dhunimin e Ilir Topçiut. Vendimi është marrë më datë 4 Nëntor dhe dosja është zbardhur pjesërisht, së fundmi.
Në ditët e fundit të Tetorit që sapo kaloi, në Bilisht, Ilir Topçiu u mor peng dhe u dhunua brutalisht nga Altin Nallbati, i njohur si “Duçja”, së bashku me dy personat Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku. Aktualisht ata mbahen në paraburgimin e Drenovës, ndërsa familjarët po kërkojnë pajtim me të dëmtuarin.
Gjykata e Korçës, me vendim të datës 4 nëntor 2025, caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” 40-ditor për tre të dyshuarit, të cilët po hetohen për “Heqje të paligjshme të lirisë”, “Plagosje të lehtë me dashje” dhe “Kanosje”, të kryera në bashkëpunim.
Sipas dosjes hetimore, grupi dyshonte se Topçiu kishte “spiunuar” tek shefi i krimeve në Bilisht, çka kishte çuar në procedimin penal të një personi tjetër. Me këtë pretekst, Trajan Çeliku e mori nga banesa ku ishte në “arrest shtëpie”, duke e mashtruar se do ta ballafaqonte me policinë.
Në vend të kësaj, e çuan në magazinën e Altin Nallbatit, vëllai i deputetit demokrat Bledjon Nallbati, ku nisi dhuna.
Topçiu deklaron se është goditur brutalisht me grushte e shkelma, derisa humbi ndjenjat, ndërsa Marsel Buçi i fiku cigaren në ballë dhe e kërcënoi: “Herën tjetër do të të zhduk me acid.” Ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar hematoma në trup dhe dy plagë djegieje në ballë.
Ngjarja shkaktoi reagim të fortë dhe çoi në shkarkimin e drejtorit të Policisë së Korçës dhe pezullimin e disa zyrtarëve të tjerë në Devoll. Në dëshminë e saj, nëna e Topçiut shprehet se djali për ditë të tëra kishte qëndruar i shtrirë nga dhimbjet dhe se “ka frikë se mos ia vrasin”.