Silvinjo, De Biazi, Albano, dhe 420 mijë të tjerë…

Nga Eduard Zaloshnja
Ndër pothuaj 4.7 milionë shtetasit shqiptarë që i kanë emrat aktualisht në Regjistrin e Gjendjes Civile, figurojnë disa emra të njohur si Silvinjo (trajneri aktual i kombëtares së futbollit), De Biazi (ish-trajneri i kombëtares së futbollit), Albano (këngëtari i famshëm italian) – për të vazhduar më tej me Lorik Canën, Berat Gjimshitin dhe shumë sportistë të tjerë kombëtarë shqiptarë.
Po përtej emrave të njohur, janë edhe mbi 420 mijë shtetas shqiptarë jo të famshëm, që me të famshmit e mësipërm kanë të përbashkët lindjen jashtë Shqipërisë…
Pothuaj 295 mijë nga këta (7/10 e 420 mijëve) janë regjistruar në Gjendjen Civile pas vitit 2011. Shkaku kryesor i regjistrimit masiv: Stimuli i ‘bonusit të bebes’ – për çdo fëmijë të lindur, shteti shqiptar paguante një ‘bonus bebeje’ (pasvarsisht se mund të lindnin jashtë vendit). Një shkak tjetër ka qenë marrja e nënshtetësisë shqiptare nga mijëra bashkëkombës tanë të lindur në trevat shqiptare përrreth (për arësye lëvizjeje pa viza në Europë ose për arësye patriotike)
Në qoftë se llogarisim vetëm 4.28 milionë shtetasit shqiptarë të lindur në Shqipëri, rreth 45% e tyre banojnë aktualisht jashtë vendit. Më 2011 kjo përqindje ishte 34%, më 2001 ishte 24%, dhe më 1989 ishte vetëm 1% (shihni grafikun e mëposhtëm).
