Skënderbeu që na doli “grek” (dhe pse djali i Skënderbeut, shkoi në Himarë pas vdekjes së babait)

Nga Dorin Xhima

Një tjetër debat i “rëndësishëm” kombëtar na vika nga mediat greke. Kanl vënë në peshore se sa shqiptar ishte Gjergj Kastrioti, ose Skënderbeu.

Një artikull i shpërndarë edhe nga faqe shqiptare thotë se heroi ynë kombëtar na qenkësh “më shumë grek” seç mendonim, vetëm pse ishte ortodoks.

Po ruajna Zot bullgarët rumunët, rusët etj etj dalin grek me këtë logjikë vetëm  pse kanë fe ortodokse. Pale nësë dinë edhe ndonjë fjalë greqisht.

Dhe ku përfundon historia? Në Malin Athos, aty ku, sipas tyre, varri i harkuar i murgut, një nga vëllezërit e Skënderbeut na fshika përfundimisht çdo gjurmë shqiptarie. Sigurisht, aty ekziston edhe një “Kullë e Shqiptarit”, por duket se ky detaj nuk ka rëndësi për autorin e artikullit “shkencor”.

Për publikun shqiptar, kjo histori tingëllon e njohur. Çdo gjë e madhe dhe e vjetër, nga Skënderbeu te manastiret, gjendet papritur me etiketa të reja. Dhe lajmi më i bukur? Disa media e diskutojnë këtë me seriozitet të madh, ndërsa duhet vetëm të qeshim: Skënderbeu, hero i shqiptarëve, tani ka edhe pasaportë etnike “greke”.

Historia është një skenë ku çdo komb dëshiron të vendosë emrin e vet. Dhe mediat greke, me “studimet” e tyre, nuk bëjnë përjashtim. Një herë shqiptar, në versionin e tyre të “korrektuar”.

Lidhur ne këtë temë unë gjeta në arkivën e pasur të gazetës DITA një shënim të akademikut Pëllumb Xhufi.

Tregon pse djali i Skënderbeut, shkoi në Himarë pas vdekjes së babait:

“Himara ishte pjesë e një treve, ajo e Labërisë e cila përfshinte rreth 60 fshatra, ku zemra ishte Himara. Historia e Mesjetës së kësaj treve të Labërisë nuk mund të kuptohet pa Himarën. Himara ka qenë qendra e kryengritjeve. Mjafton të kujtojmë një fakt. Mbas vdekjes së Skënderbeut, djali i tij Gjoni erdhi sepse e thirrën banorët e Himarës.

Ai shkoi bashkë me dy kushërinj të tij, dhe u vunë në krye të kësaj kryengritje. Kryengritja përfundoi me zënien rob të sanxhakbeut të Vlorës që vajti për ta shtypur atë kryengritje. Ata e zunë rob dhe e çuan si trofe te mbreti i Napolit.

Po të shkosh sot në fshatin e Shirgjit, që dikur ishte qytet, do të shihni kishën e Shirgjit. Shirgji ka qenë një shenjtor i nderuar në trevat shqiptare, është edhe në Çamëri. Kisha e Shirgjit ekziston akoma edhe sot dhe në postën e hyrjes ka të gdhendur dy shqiponja me dy krerë me kurorë mbretërore.

Kjo ishte stema e pasardhësve të Skënderbeut nga Italia.

Identifikimi i himarjotëve me familjen Skënderbeu vazhdon në vitin 1589-të, kur i shkruan Papës, Gregori 13-të që: Ne himarjotët jemi bijtë e Skënderbeut, ne kemi luftuar me Skënderbeun dhe ai ishte mbreti ynë”.

Edhe më vonë ka dokumente pafund. Shumë prej tyre i kam përdorur edhe unë në një libër për arbrit e jugut që i kam gjetur në arkivat e Venedikut.

Aty janë me emra, edhe emrat e sotëm që kanë himarjotët, por janë edhe letrat që i shkruanin vetë, Bajliut të Korfuzit, mbretit të Napolit, mbretit të Spanjës e deri të mbreti i Austrisë.

Në këto letra, prezantohen gjithmonë si shqiptarë. Nuk prezantohen si popull me vete, e as si grekë’.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT