“Soros të shpallet “non grata”, të përjashtojmë ata që janë të lidhur me të”, çfarë u diskutua brenda dyerve të mbyllura të Këshillit Kombëtar të PD (BISEDAT)

Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike ka përfunduar pas 2 orë e 30 minuta diskutime. Burime bëjnë me dije se në mbledhjen me dyer të mbyllura është diskutuar për të ardhmen e Partisë Demokratike ndërsa demokratët kanë folur edhe për George Soros.
Mësohet se anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha dhe Aulon Kalaja kanë kërkuar që personat e lidhur me George Soros duhet të largohen nga postet që mbajnë.
Lisandër Hoxha ka deklaruar se George Soros është kancer për demokracinë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Amerikën dhe vende të tjera.
Aulon Kalaja ka mbështetur Lisandër Hoxhën duke thënë se Soros duhet të shpallet non grata dhe ka propozuar që PD të jetë më konservatore në qasjen e saj.
Ish-kandidati për deputet Aulon Kalaja, është shprehur në pjesën e takimit me dyer të mbyllura të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike se duhet të ngrihet një Komision Hetimor për mënyrën se si deputetët demokratë dhanë frmat për kandidaturën e Endri Shabanit për Avokat të Popullit.
“Jam dakord me Lisandrin. SOROS duhet të shpallet non grata nga qeveria e ardhshme. Mendoj se PD duhet të shkojë më djathtas, duhet të jemi konservator, jo të themi që jemi parti e qendrës së djathtë. Është zgjedhur Avokat i Popullit një sorosist me firmat e PD. Të ngrihet Komision Hetimor për mënyrën sesi u morën firmat për Shabanin.”-tha Kalaja.