SPAK e akuzon për 3 vepra penale, ish-kreu i ARRSH kërkon gjykim të shkurtuar, Evis Berberi: Të mos përdoren të dhënat nga telefoni personal
Ish-drejtori i Rrugëve, Evis Berberi ka kërkuar në seancën paraprake në Gjykatën e Posaçme, që të përfitojë gjykim të shkurtuar. Sipas asaj që mësohet nga salla e gjyqit, ai ka kërkuar veçanërisht që të mos përdoren të dhënat e nxjerra nga telefoni personal.
Prokuroria e Posaçme e akuzon zyrtarisht Evis Berberin për veprat penale Evis Berberi, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, (katër herë), “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, (gjashtë herë), si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim, më shumë se një herë”.
Pavarësisht vullnetit të tij për gjykim të shkurtuar, është Gjykata e Posaçme ajo që do të vendosë nëse kërkesa do të pranohet apo jo.
Gjykimi i shkurtuar parashikon se në rast se Evis Berberi shpallet fajtor në përfundim të procesit penal, atij i ulet 1/3 e dënimit, ndërkohë gjatë fazës së gjykimit, ai heq dorë nga seanca paraprake e ballafaqimit të akteve hetimore dhe pranon të gjykohet për ato që janë grumbulluar deri në këtë fazë nga SPAK.
Faktet penale të SPAK për Evis Berberin dhe të tjerët:
Nga analizimi i provave të siguruara përmes përdorimit të teknikave të posaçme të hetimit, provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit në banesat e të pandehurve; Evis Berberi, Valter Begaj dhe Ervis Lami, aparateve celularë, pajisjeve kompjuterike, kryerjes së veprimeve hetimore në vijimësi të këtij hetimi, ka rezultuar se i pandehuri, Evis Berberi është pronar de facto i shoqërisë “DAAM” sh.p.k. Për të fshehur gjurmët e pronësisë së kësaj shoqërie, në vitin 2019 e ka kaluar fiktivisht pronësinë tek të pandehurit Brunilda Buli, Valter Begaj dhe Ervis Lami.
Gjatë kohës kur i pandehuri, Evis Berberi e ka tjetërsuar fiktivisht pronësinë e shoqërisë së tij, “DAAM” sh.p.k, ndërsa ushtronte detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, është evidentuar fakti se:
Ai menaxhonte, kontrollonte dhe përdorte të ardhurat e shoqërisë “DAAM”sh.p.k, për shpenzime private të tij. Është evidentuar interesi i ndërsjellë financiar mes të pandehurve Evis Berberi dhe Valter Begaj, të cilët në mënyrë të vazhdueshme kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për identifikimin e procedurave të prokurimit të planifikuara për t’u zhvilluar, në interes të përfitimeve reciproke mes tyre.
Gjatë kësaj kohe të pandehurit, Valter Begaj, Ervis Lami dhe Brunilda Buli, raportonin vazhdimisht për ecurinë e aktivitetit tregtar të shoqërisë tek i pandehuri, Evis Berberi, i cili ishte personi që vendoste në lidhje me përdorimin e fondeve të shoqërisë “DAAM”sh.p.k.
I pandehuri Evis Berberi ishte personi që vendoste për marrjen në punë dhe caktimin e pagës të punonjësve të shoqërisë, “DAAM”sh.p.k, si dhe për marrjen e liçencave profesionale për projektim dhe mbikëqyrje, në funksion të ushtrimit të aktivitetit tregtar të saj.
I pandehuri Evis Berberi është informuar në mënyrë të vazhdueshme për investimet e bëra nga shoqëria “DAAM”sh.p.k, në pasuri të paluajtshme.
I pandehuri Evis Berberi kishte të drejtë veprimi në llogaritë bankare të shoqërisë “DAAM”sh.p.k, të cilat i ka kontrolluar në mënyrë të vazhdueshme dhe ka bërë tërheqje në cash.
Nga aktet e administruara rezulton se i pandehuri Evis Berberi, ka vepruar në procedurat e prokurimit të mësipërm, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Në një rast tjetër, nën cilësinë e kryetarit të komisionit të vlerësimit të ofertave, ka favorizuar dhe krijuar privilegje për shoqërinë pjesëmarrëse dhe fituese në këto procedura prokurimi, shoqërinë “Net Group” sh.p.k, në pronësi të të pandehurit Valter Begaj, ku në gjashtë prej këtyre procedurave të prokurimit, i pandehuri Evis Berberi ka kërkuar dhe marrë nga të pandehurit,Valter Bergaj, Evis Lami dhe Brunilda Buli, përfitimin e parregullt në vlerën 77.380.973 (shtatëdhjetë e shtatë milionë e treqind e tetëdhjetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e tre) lekë.
Për transferimin e këtyre vlerave të korrupsionit, nga ana e të pandehurit, Evis Berberi, në bashkëpunim me të pandehurit,Valter Begaj, Ervis Lami dhe Brunilda Buli, është ngritur mekanizmi i veprimit përmes faturave fiktive, mes shoqërisë “Net Group” sh.p.k dhe “DAAM” sh.p.k, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, ë transferimit dhe zhvendosjes së tyre, që përbëjnë “përfitim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.
Po ashtu, gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit të sipërcituara, janë evidentuar fakte për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në lidhje me veprimet e kundraligjshme të anëtarëve të komisionit të përllogaritjes së fondit limit, njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave, në lidhje me përllogaritjen e fondit limit, hartimin e dokumenteve standarde të tenderit, si dhe për vlerësimin dhe shpalljen fitues të shoqërisë “Net Group”sh.p.k, në kundërshtim me kriteret e përcaktuara, në dokumentet standarde të tenderit, veprime të kryera në shkelje të rregullave të prokurimit publik, me qëllim krijimin e favorizimeve dhe privilegjeve në shtatë procedura prokurimi, për shoqërinë “Net Group” sh.p.k., në një rast tjetër, për shoqërinë “EuroElektra”sh.p.k.
Në këto procedura prokurimi, i pandehuri Evis Berberi ka vepruar në bashkëpunim me personat zyrtar të tjerë të autoritetit kontraktor, anëtarë të komisionit për secilën procedurë konkrete, të pandehurit; Gentjan Gjyli, Erald Elezi, Artan Leskoviku, Altin Marko, Bledar Aliaj, Blerta Musabelli, Kamelia Tafaj, Ela Goxhaj, Jetmira Dervishi, Orjon Islamaj, Adrian Kroi, Genti Raça, Adela Kica, Denis Xhoxhi, Gëzim Noni, Adja Strazimiri, Shkëlqim Lusha, Valbona Pepa.