Taksa e re e pronës: Si do ndikojë në xhepat e qytetarëve, risqet dhe fituesit

Nga Orgen Peci

Për materialin e mëposhtëm janë shqyrtuar burimet zyrtare dhe raportimet kryesore mbi projektin “ProTax Albania”. Çfarë është kjo reformë, si do funksionojë, ç’pasoja priten për xhepat e qytetarëve, cilat masa zbutëse duhen?

Qeveria ka njoftuar se po finalizon reformën e taksës së pasurisë që do të vendosë për herë të parë një taksim bazuar në vlerën reale të tregut (dhe jo mbi çmimet e vjetra ose normat simbolike). Projekti përfshin ndërtimin e një Kadastrës Fiskale dhe ngritjen e një Drejtorie të Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, me qëllim qendërzimin e të dhënave dhe llogaridhënien në mbledhjen e tatimeve lokale.

Draft-ligji është përfunduar. Sipas planeve që qarkullojnë, brenda një periudhe implementimi do të regjistrohen rreth 2.5 milionë pasuri në kadastrën fiskale, proces që do t’u mundësojë autoriteteve të vlerësojnë objektet sipas çmimit real tregu.

Por ka debate mbi afatet. Disa burime flasin për fillim-implementim 2026, por zyrtarisht qeveria ka lënë të hapur datën dhe ka përmendur si mundësi 2027/2028 për vlerësimin kombëtar.

Kush do të paguajë më shumë?

Pronarët me dy ose më shumë apartamente do të jenë grupi më i goditur. Kjo sepse drafti synon një përshkallëzim të taksimit ndaj pronave të shumta. Kjo do të rrisë barrën për investitorët e imobiliareve dhe pronarët që mbajnë pasuri të lira me qëllim fitimi.

Draftet parashikojnë taksa më të larta për objekte tregtare/industriale sesa për banesat. Nëse kjo qasje mbahet, pronarët tregtarë gjithashtu do të paguajnë më shumë.

Në zonat me çmime të ulëta dhe për pronat e vogla të banimit për familjet që zotërojnë vetëm një banesë të vogël, efekti mund të jetë i moderuar, sidomos nëse futen pragje shpronësimi, përjashtime për të ardhurat e ulëta ose zbritje për banesën e parë.

Bashkitë janë përfituesit më të mëdhenj.  Ministria ka bërë të ditur pritshmëri për rritje të të ardhurave vendore. Qeveria ka parashikuar se bashkitë do të rrisin të ardhurat me disa miliarda lekë (në projekt-buxhet përmendet rritje rreth 10 miliardë lekë për periudhën e afërt), që tregon se barrat për qytetarët gjithsesi do të përkthehen në zëra realë tatimorë.

Të shpresojmë që këto të ardhura do kanalizohen drejt shërbimeve vendore (ndriçim, rrugë, hapësira publike).

Sa rriten realisht detyrimet

Në projekte të mëparshëm dhe diskutime, janë përfolur ndryshime në norma (p.sh. rritje nga norma simbolike 0.05% në norma më reale për ndërtimet, dhe koeficientë të ndryshëm për kategoritë), por shifrat përfundimtare do të vijnë me miratimin e ligjit.

Në një version diskutimesh u referua edhe një rivlerësim 5% (si shembull për tregun) dhe një gamë të koeficienteve 0.1–0.25% për disa kategori, megjithatë këto ishin propozime, jo vendim final. Pra, qytetarët duhet të presin formularin zyrtar për shifrat e sakta. E sigurtë është që taksa e re do ndikojë në vendimet për shitje pronash.

Probleme dhe rreziqe të ndërthurura (administrative & sociale)

1 – Do ketë probleme te saktësia e vlerësimit. Flitet për vlerësime sipas “vlerës së tregut” por këto kërkojnë të dhëna të mira, ekspertizë dhe algoritme transparente; çdo gabim do të krijojë pabarazi. Propozohet auditing i pavarur, por a do funksionojë?

2. A kemi ne kapacitet administrativ për këtë punë? Regjistrimi i 2.5 mln pasurive dhe përditësimi i të dhënave është projekt i madh; ngecja do të krijojë konfuzion dhe ankimime. Parashikojmë që zbatimi do kërkojë investime në administratë lokale, trajnim, sisteme IT, staf vlerësues.

3. Rreziku i kundërshtimeve: Rritja e taksave mbi pronën është e ndjeshme; mungesa e komunikimit transparent mund të shkaktojë reagim social dhe politik.

4. Problem mbeten pronat e  paformalizuara. Ka shumë prona pa hipotekë ose në proces hipotekimi. Si do të identifikohen dhe tatohen? Kjo gjithashtu hap rrugën për konflikte dhe ankesa ligjore.

Mendojmë se një reformë e tillë kërkon përgatitje graduale, një fazë pilot dhe aplikim sipas rajoneve. Ky ligj nuk duhet imponuar menjëherë i gjithi. Duhet të ketë pragje dhe përjashtime për familjet me të ardhura të ulëta. Çdo formulë, koefiçient dhe shembull llogaritjeje duhet të publikohet qartë para hyrjes në fuqi.

Është mirë që qytetarët të kontrollojnë nëse prona apo pronat e tyre janë regjistruar saktë në kadastrën aktuale dhe të kërkojnë rishikim nëse ka gabime.

Duhet thënë se “ProTax Albania” është një hap për rritjen e ardhurave vendore, por implementimi është vendimtar. Pa mbrojtje sociale ajo do godasë edhe më shumë qendrën e konsumit familjar. Sidomos pronarët e banesave të dyta dhe aktorët komercialë, do të ndjejnë rritje të ndjeshme të ngarkesës.

Zyrtarët duhet të publikojnë tabela shembull, norma përfundimtare dhe masat mbështetëse sa më shpejt për të shmangur panikun dhe ankimet masive.

Përmbledhje e ndikimit financiar për qytetarët 

Pronari i vetëm 1 banese do ketë efekt të moderuar nga ligji i ri. Drafti parashikon lehtësira për banesën e parë.

Pronari me 2 dhe më shumë banesa do ketë rritje të konsiderueshme të pagesave (dy deri në katër herë më shumë në disa propozime të diskutuara më parë)

Pronari i pronave komerciale/industriale do ketë pagesë më të lartë relative (varësisht nga koefiçientët).

Qytetarët me prona të papërfunduara/ të padeklaruara kanë një rrezik penal/administrativ + rritje detyrimi pasi hyrja në kadastrën fiskale do të pastrojë regjistrat

Back to top button
LAJMET E FUNDIT