Tashmë një “ish” i SPAK-ut! Altin Dumani mbyll “faqebardhë” detyrën e tij, dibrani që riktheu shpresën e shqiptarëve: Askush s’është mbi ligjin!

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, do të lërë zyrtarisht detyrën këtë të enjte, 18 dhjetor. Me përfundimin e mandatit të tij trevjeçar Dumani do t’ia dorëzojë ditën e nesërme stafetën pasardhësit të tij, Klodjan Brahos,  i cili u zgjodh javën e kaluar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 7 vota pro.

Që në nisje të detyrës Dumani u cilësua si  “prokurori i hekurt”, një epitet që e shoqëroi përgjatë gjithë drejtimit të Strukturës së Posaçme. Edhe pse shpeshherë u sulmua nga politika, kryesisht nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili jo rrallë e ka etiketuar dhe akuzuar publikisht se “drejtohet” nga kryeministri Rama dhe kriminelët, Dumani ruajti qetësinë dhe vijoi punën pa u përfshirë në polemika.

Që në fillimin e mandatit të tij, Dumani ishte i qartë në mesazhin e dhënë: “Përmbi ligjin nuk është askush”. Ky parim u reflektua në veprimtarinë e SPAK gjatë këtyre tre viteve, ku janë sekuestruar rreth 37 milionë euro pasuri dhe janë hetuar 17 zyrtarë të nivelit të lartë, janë goditur disa grupe kriminale, janë çmontuar fijet e bandave shqiptare të cilët operonin në të gjithë botën. Shifra dhe rezultate këto që dëshmojnë intensitetin e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kur Dumani mori detyrën në dhjetor të vitit 2022, shumë ishin ata të cilët dyshonin se ai do të kishte guximin të përballej me korrupsionin e rrënjosur thellë prej dekadash në vendin tonë.

Mirëpo, gjatë drejtimit të tij, SPAK ndërmori hetime ndaj figurave të rëndësishme politike, si te të majtët po ashtu dhe te të djathtët, duke përfshirë këtu ish-presidentin Ilir Meta, ish-kryeministrin Sali Berisha, kryebashkiakun Erion Veliaj e shumë zyrtarë të tjerë.

Kush është Altin Dumani?

Altin Dumani, 50-vjeç, erdhi nga radhët e Prokurorisë së Apelit. I lindur në Shupenzë të Dibrës, Dumani mban mbi supe mbi dy dekada karrierë si prokuror. Në mars të vitit 1999, nisi detyrën e parë në Prokurorinë e Sarandës, ndërsa në vitin 2000 u emërua drejtues i Prokurorisë së Tropojës, një post që sipas tij u refuzua nga shumë të tjerë për shkak të problematikave të rënda.

Ai u bë i njohur për qëndrimin e tij të fortë gjatë procesit gjyqësor të tragjedisë së Gërdecit, ku kërkoi tre dënime me burgim të përjetshëm për të pandehurit kryesorë. Më vonë, la komoditetin e Prokurorisë së Apelit për t’iu bashkuar SPAK-ut, me synimin për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë.

Dumani ka mbajtur edhe detyrën e zëvendësdrejtuesit të SPAK, duke zëvendësuar Arben Krajën gjatë mungesave të tij. Ai udhëhoqi operacione të rëndësishme, përfshirë arrestimin e 13 personave në vitin 2021, mes tyre edhe një gjyqtare në detyrë, si dhe bashkëdrejtimin e operacionit “Plumbi i Artë”, ku u goditën bosë të rëndësishëm të krimit të organizuar.

Ndërkohë që në dhjetor të 2022 ai u zgjodh kreu i SPAK  dhe me punën përgjatë gjithë këtyre viteve duket se ka lënë pas një periudhë që për shumë qytetarë shënoi rikthimin e shpresës dhe besimit se drejtësia mund të funksionojë pa dallime politike.

Por pavarësisht se tani do të quhet si ish-kreu i Prokurorisë së Posaçme, Dumani do të vijojë punën në këtë Strukturë, krah kolegëve dhe për të vijuar me dosje të tjera të nxehta.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT