Tenderat e AKSHI-t të kapur nga një skemë kriminale, SPAK zbulon skemën e manipulimit, tetë persona nën akuzë (NJOFTIMI)

Një hetim i gjerë i Prokurorisë së Posaçme, i zhvilluar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, ka zbuluar një skemë të dyshuar kriminale të manipulimit të tenderave publikë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, përmes presionit, dhunës dhe heqjes së paligjshme të lirisë. Sipas SPAK, hetimi ka çuar në caktimin e masave të sigurisë për tetë persona, me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mes personave ndaj të cilëve janë vendosur masa janë edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si dhe zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi, për të cilat gjykata ka vendosur masën e “arrestit në shtëpi”.
Në njoftimin e saj, Prokuroria e Posaçme sqaron se në qendër të hetimit janë edhe Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiraj, të cilët akuzohen për disa vepra të rënda penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë në tendera, heqjen e paligjshme të lirisë, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Për ta është vendosur masa e “arrestit me burg”, por ajo nuk është ekzekutuar, pasi të dy nuk janë arrestuar gjatë operacionit.
“Në kuadër të veprimtarisë së grupit të strukturuar kriminal, shtetasit e dyshuar kanë konsumuar veprën penale të konkurrencës së paligjshme përmes dhunës dhe kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, duke i hapur rrugë kompanive të paracaktuara për t’u shpallur fituese”, thuhet në njoftimin e SPAK.
SPAK bën të ditur se, sipas hetimeve, personat e përfshirë në këtë skemë kanë ushtruar presion ndaj përfaqësuesve të kompanive që merrnin pjesë në procedura tenderimi, duke i detyruar ata të tërhiqnin ankesat administrative. Ky veprim, sipas organit të akuzës, ka favorizuar kompani të paracaktuara, të cilat përfitonin kontratat publike, në raste kur shqyrtimi i ankesave mund të kishte ndryshuar rezultatin e garës.
Në këtë çështje dyshohet se është përfshirë edhe një zyrtar i Policisë së Shtetit. Sipas SPAK, Erion Ismaili, zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, është vënë nën masën e “pezullimit nga detyra” dhe “ndalimit për të dalë jashtë vendit”.
Gjithashtu, tre biznesmenë të tjerë, Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta, akuzohen se kanë qenë pjesë e skemës së manipulimit, përmes lëshimit të faturave fiktive ose pjesëmarrjes formale në gara tenderimi, pa kryer realisht shërbime apo punë. Për ta është vendosur masa e sigurimit “ndalim për të dalë jashtë vendit”.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është një nga institucionet më të rëndësishme dhe më të ndjeshme në vend, pasi administron infrastrukturën kryesore të qeverisjes digjitale, përfshirë shërbimet e platformës e-Albania, e cila shërben si kanal kryesor mes qytetarëve dhe institucioneve shtetërore për marrjen e dokumenteve dhe shërbimeve publike.
Sipas SPAK, hetimi ngre dyshime serioze se struktura e AKSHI-t dhe procedurat e saj të prokurimit janë përdorur nga një grup kriminal për të përfituar fonde publike, duke përdorur metoda që përfshijnë presionin dhe dhunën ndaj rivalëve. Krahas dyshimeve për abuzim financiar, çështja ngre shqetësime edhe mbi rrezikimin e sigurisë kombëtare, për shkak të natyrës së sistemeve dhe të dhënave që administron kjo agjenci.
Personat e përfshirë në hetim janë figura të njohura për publikun. Ergys Agasi njihet si biznesmen në fushën e tregtimit të duhanit dhe si aksioner në një klub futbolli në vend. Ai ka qenë më herët objekt akuzash politike për lidhje të dyshuara me pushtetin dhe krimin e organizuar, akuza të cilat i ka mohuar.
Edhe Ermal Beqiraj është përmendur më parë në disa çështje publike dhe politike, përfshirë raste të bujshme që lidhen me hetime institucionale dhe ekspertiza teknike. Sipas të dhënave të publikuara nga Open Spending Albania, kompanitë e lidhura me të kanë përfituar rreth 2.1 miliardë lekë nga kontratat e AKSHI-t.
Hetimet e SPAK janë në vijim, ndërsa autoritetet theksojnë se personat e dyshuar gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025, ndaj tetë shtetasve nën hetim për vepra penale:“Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”, parashikuara nga nenet 110, 170/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Shtetasit e dyshuar, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë kryer veprime të kundërligjshme, duke konsumuar elemente të veprës penale; “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe konkretisht në përcaktimin e kritereve specifike jo të përcaktuara në ligj, për favorizimin e disa kompanive kundrejt të tjerave.
Në kuadër të veprimtarisë së “Grupit të strukturuar kriminal”, shtetasit e dyshuar kanë konsumuar veprën penale, “Konkurrencë e paligjshme përmes dhunës” dhe kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve.
Gjithashtu masë sigurimi është kërkuar edhe për administratorë të disa kompanive të cilët me veprime të kundërligjshme, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive si dhe kanë realizuar transaksione kundrejt kompanive të cilat nuk ishin pjesë e procesit të tenderimit.
Në këtë kuadër, Prokuroria Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 15.12.2025, paraqiti kërkesën në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për caktimin e masës së sigurimit ndaj tetë (8) shtetasve nën hetim. Sot, më 16.12.2025, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë ekzekutuar vendimin e gjykatës për disa nga shtetasit e mëposhtëm:
Caktimin e masës së sigurimit, “Arrest në burg”, ndaj shtetasit në hetim E.A., e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale. Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal. (pa ekzekutuar)
Caktimin e masës së sigurimit, “Arrest në burg”, ndaj shtetasit nën hetim, E.B., e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për kryerjen e veprave penale; “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal. (pa ekzekutuar)
Caktimin e masës së sigurimit, “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetases nën hetim, M.K., e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për kryerjen e veprave penale; “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 258 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit, “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetases nën hetim, H.D., e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, e dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 258 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit,“Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, ndaj shtetasit nën hetim E.I., të parashikuara nga nenet 242 dhe 233 të Kodit të Procedurës Penale. Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale; “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 170/b, 28/4 dhe 333/a, 334 të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit, “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, ndaj shtetasit nën hetim A.P., e parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale. Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale; “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit, “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, ndaj shtetasit nën hetim, G.H., e parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale. Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit personal, “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, ndaj shtetasit nën hetim R.Rr., e parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale. Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale; “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.