Tha se do e mbështeste SPAK-un, Ramën nuk e mban vendi: E turpshme kërkesa për imunitetin e zv.kryeministres! Burgosja pa gjyq është bërë modë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me kërkesën që SPAK i dorëzoi ditën e sotme Kuvendit, ku kërkohet heqja e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se ende pa u tharë boja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e cilësonte si të antikushtetues pezullimin e Ballukut, sot prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren.

Më tej kryeministri shkruan se arrestimet pa gjyq, janë kthyer në modë në Shqipëri dhe burgosjet pa dënime, po shqetësojnë edhe Këshillin e Europës.

“Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standardet demokratike europiane”, thekson Rama në postimin e tij.

Ndërsa sa i përket kërkesës për heqjen e imunitetit të Ballukut, Rama shkruan se si mazhorancë do të mbajnë një qëndrim të drejtë, qartë dhe të denjë.

Postimi i plotë i Ramës:

Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren – me burg ose në shtëpi.

Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht.

Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT