“Tirana sillet më keq se Kremlini”, Blushi: Ilir Meta i izoluar në ekstrem në burg, i privohet edhe liria e fjalës! Alexei Navalnyt nuk iu mohua kurrë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, thotë se Ilir Metës i është privuar në burg edhe liria e fjalës, gjë që sipas tij nuk e ka bërë as Putini me opozitarin Alexei Navalny.
Me anë të një postimi në Facebook, Blushi thekson se “me urdhër të Edi Ramës, i është ndaluar liria e fjalës dhe është ndëshkuar dy herë vetëm pse arriti të komunikonte në mënyrë indirekte me gazetarët”.
Blushi shkruan në Facebook se beteja për lirinë e Ilir Metës është një betejë për liritë e të drejtat themelore dhe dinjitetin njerëzor të çdo qytetari shqiptar.
“Kur Tirana sillet më keq se Kremlini, çdo retorikë për integrim europian bie dhe shndërrohet në hipokrizi. Çdo ditë që kalon pa u zbatuar 9 rekomandimet e Avokatit të Popullit provon se ndalimi, hetimi dhe burgosja e Ilir Metës janë akte politike kriminale, të diktuara nga vullneti personal i Edi Ramës”, shkruan Blushi.
Reagimi i plotë
Vladimir Putin nuk ia mohoi kurrë Alexei Navalnyt lirinë e shprehjes. Edhe nga burgu në Arktik, ku më pas humbi jetën, Navalny fliste lirshëm për mediat, denonconte kushtet çnjerëzore të trajtimit dhe kritikonte hapur regjimin autoritar.Në Shqipëri ndodh e kundërta. Ilir Meta, i izoluar në ekstrem në burg, është privuar nga e drejta për të komunikuar me mediat. Me urdhër të Edi Ramës, atij i është ndaluar liria e fjalës dhe është ndëshkuar dy herë vetëm pse arriti të komunikonte në mënyrë indirekte me gazetarët.
Kur Tirana sillet më keq se Kremlini, çdo retorikë për integrim europian bie dhe shndërrohet në hipokrizi.
Çdo ditë që kalon pa u zbatuar 9 rekomandimet e Avokatit të Popullit provon se ndalimi, hetimi dhe burgosja e Ilir Metës janë akte politike kriminale, të diktuara nga vullneti personal i Edi Ramës.
Respektimi i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut nuk është opsion, por detyrim ligjor i panegociueshëm për Shqipërinë.
Beteja për lirinë e Ilir Metës është një betejë për liritë e të drejtat themelore dhe dinjitetin njerëzor të çdo qytetari shqiptar, për respektimin e KEDNJ, të Kushtetutës e ligjit.
Përballë një drejtësie të politizuar dhe të kontrolluar nga pushteti, nuk mbrohet thjesht një lider politik, por parimi se askush nuk duhet të jetë viktimë e një sistemi të komanduar politikisht.
Kjo nuk është një betejë politike, por një luftë për demokraci, për shtetin e së drejtës dhe për Shqipërinë europiane që meritojmë.