Tubacioni i dëmtuar lë prej tre ditësh vlonjatët pa ujë, autoritetet në terren: Jemi duke punuar (NUMRAT ku të drejtohen qytetarët)

Situata e furnizimit me ujë në qytetin e Vlorës vijon të mbetet problematike prej tre ditësh, pas dëmtimit të rëndë të një tubacioni kryesor të rrjetit të ujësjellësit, duke lënë mijëra qytetarë pa ujë.
Sipas autoriteteve, prova teknike e kryer një ditë më parë për riparimin e defektit nuk ka dhënë rezultat, ndërsa puna në terren po vijon intensivisht për të gjetur një zgjidhje përfundimtare.
Kreu i Ujësjellësit Vlorë, Ermal Murati, ka bërë të ditur se grupet teknike janë në punë të pandërprerë dhe se po bëhen përpjekje maksimale që furnizimi me ujë të rikthehet gjatë pasdites së sotme.
“Prova e kryer nuk rezultoi e suksesshme, por puna po vazhdon dhe shpresojmë që sot të kemi një zgjidhje për rikthimin e furnizimit,” ka deklaruar Murati, duke shtuar se për institucionet e rëndësisë së veçantë janë siguruar alternativa furnizimi.
Tubacioni i dëmtuar, me diametër 1000 mm, është një nga linjat më të rëndësishme për furnizimin e qytetit dhe është pjesë e një investimi të realizuar në vitet 2009–2010. Dëmtimi i tij ka sjellë një situatë të vështirë për qytetin, veçanërisht në këto ditë me kërkesë të lartë për ujë.
Ndërkohë, Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar, ku bën me dije se grupet e saj vijojnë punën në terren për riparimin e defektit dhe garantimin e furnizimit alternativ për qytetarët.
Për të përballuar situatën emergjente, autobotet e ujit do të jenë në shërbim të qytetarëve përgjatë bulevardit Vlorë–Skelë, duke lëvizur sipas nevojave të raportuara. Qytetarët që kanë nevojë për furnizim me ujë mund të kontaktojnë në numrat e mëposhtëm:
069 582 4439
069 208 3350
069 526 2532
069 969 2902