U tha se Mercedesi që ra në atentatin e Rinasit ishte i tij, Vis Kosova me “bishat” e luksit, sjell “Lamborghini Aventador” në Shqipëri (VIDEO)

Elvis Kosova, pronari i një garazhi automjetesh luksoze në Tiranë dhe Prishtinë, i njohur edhe si Visi i garave, ka sjell në Shqipëri një tjetër makinë luksoze që ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve në rrugët e kryeqytetit.
Bëhet fjalë për “Lamborghini Aventador LP770-4 SVJ Roadster price”, një supermakinë e cila është në prodhim të kufizuar dhe ka një vlerë rreth 1 miliardë lekë.
Javë më parë, Elvis Kosova ishte në qendër të mediave sepse u tha se Mercedesi luksoz S Class që ra në atentatin e Rinasit, ku mbetën të vdekur Gilmando Dani dhe miku i tij Muçi Shaljani, ishte pikërisht në pronësi të Vis Kosovës.
Madje, u tha se pas atentatit ai kërkohej nga Policia e Tiranës si person që mund të kishte dijeni për rrethanat e ngjarjes. Elvis Kosova reagoi vet në rrjetet sociale dhe tha se nuk mbante mend që mjeti të ishte në emër të tij, ndoshta të kompanisë, po.
Elvis Kosova nuk është një emër i panjohur për policinë. Jo më larg se verën e këtij viti, atij iu vendos një sasi lënde plasëse në portën hyrëse të garazhit të tij në zonën e “Liqenit të Thatë” në Tiranë.
Ndërsa në gusht të vitit 2024 ai u ndalua për vjedhjen e një makine luksoze “Audi R8”, me vlerë rreth 200 mijë euro, që ishte sjellë fillimisht nga Gjermania nga një turk, dhe më pas ishte përvetësuar nga Elvis Kosova përmes mashtrimit.