VIDEO/ Rama i del në mbrojtje Mirlinda Karçanajt: “700 tenxheret e çorbës politike dhe mediatike…”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me hetimet e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për Agjencinë Kombëtarë të Shërbimeve të Informacionit.

Në podkastin e tij “Flasim”, Rama i doli në mbrojtje Mirlinda Karçanajt, duke thënë se akuzat për drejtoreshën e AKSHI-t janë “të hatashme”.

Kryeministri pasuroi ndër të tjera fjalorin publik me një togjalësh të ri duke folur për “700 tenxheret e çorbës politike dhe mediatike”.

“AKSHI përballet sot me një hetim nga SPAK për përdorimin e fondeve dhe Mirlinda Karçanai që udhëhoqi jëtësimin e vizionit tonë qeverisës transfomimin digjital të qeverisë me dije me vullnet e përkushtim të përditshëm për 12 vite, gjendet nën një masë sigurie me një akuzë të hatashme për të cilën duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia jo nga 700 tenxheret e çorbës politike dhe mediatike, që të dalë e vërteta e saj. Por e di që falë saj dhe Skuadrës së AKSHI, Shqipëria ka bërë një kapërcim të madh”, deklaroi Rama.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur një hetim të gjerë dhe ka çuar në gjykatë tetë persona nën akuzë për manipulim të tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), përfshirë drejtoreshën e institucionit, Mirlinda Karçanaj, zv/drejtoreshën Hava Delibashi dhe biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj.

Sipas SPAK, grupi ka paracaktuar fituesit e tenderave dhe devijuar paratë publike në favor të kompanive të caktuara. Akuzat përfshijnë konkurrencë të paligjshme, shkelje të barazisë në tendera, pastrim parash, krijim grupi të strukturuar kriminal dhe heqje të paligjshme të lirisë.

Kjo e fundit sepse ky grup ka përdorur dhunë, pengmarrje dhe shantazh për të detyruar kompani konkurrente të heqin dorë nga ankimet.

Hetimi ka përfshirë deri tani 12 procedura tenderimi të AKSHI-t dhe dyshimet janë se fondet janë përdorur në mënyrë të paligjshme, duke shkaktuar dëme financiare në buxhetin e shtetit në vlerë miliona euro.

Sipas të dhënave të hetimit, vetëm për periudhën dhjetor 2024 deri shtator 2025, një nga personat e dyshuar, përmes një kompanie fiktive, ka përfituar rreth 29-30 milionë euro nga paratë e tenderave të AKSHI-t.

Skema ka përfshirë rritje artificiale të fondit të tenderave dhe devijim të shumave të konsiderueshme jashtë qëllimit të tyre të ligjshëm.

Operacioni i SPAK tregon për një bashkëpunim midis zyrtarëve të lartë të një agjencie shtetërore, Policisë së Shtetit dhe biznesmenëve, me qëllim shfrytëzimin e parave publike për përfitime personale.

Slema që sot u mor në mbrojtje nga Kryeministri ngre shqetësime lidhur me ndikime të rënda korruptive në paranë publike dhe në besimin e qytetarëve taksapagues në drejtësinë ekonomike të vendit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT