Vlora prej ditësh pa ujë, deputeti i PS “qetëson” qytetarët: Brenda ditës së nesërme problemi do jetë rregulluar

Deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Ardit Bido ka sqaruar nëpërmjet profilit të tij në rrjete sociale situatën aktuale me punimet që po kryhen në linjën kryesore të furnizimit në ujë të qytetit pas disa ditëve ndërprerje e procesit.
“Vlora drejt normalitetit, fundi i avarisë po afrohet
Pas më shumë se 72 orësh pune intensive në terren, ka sinjale pozitive se avaria e rëndë në sistemin e furnizimit me ujë në Vlorë mund të zgjidhet brenda ditës së nesërme.
Ka qenë një situatë e vështirë dhe e lodhshme për qytetarët. Shqetësimi i tyre është i drejtë dhe i kuptueshëm, pasi mungesa e ujit për disa ditë rresht nuk mund të jetë realiteti i një qyteti si Vlora.
Sipas informacioneve nga terreni, ndërhyrjet janë në fazën përfundimtare dhe po punohet për rikthimin gradual të furnizimit.
Është e domosdoshme që çdo zhvillim të komunikohet me transparencë dhe që kjo situatë të shërbejë si një mësim i qartë për të forcuar sistemin dhe për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme në të ardhmen”, thuhet në postimin e Bidos.
Bido shkruan se po punohet itensivisht për rregullimin e situatës dhe se brenda ditës së nersërme problemi do të jetë zgjidhur. Reagimi i tij vjen pas një proteste të zhvilluar mbrëmjen e sotme nga qytetarët e Vlorës në teatrin ku Bashkia kishte organizuar një mbrëmje gala me rastin e festave të fundvitit.
Ndërkohë ditën e nesërme qytetarët e Vlorës kanë thirrur një protestë tjetër në orën 10:00 përpara godinës së bashkisë.