Zhduket vera miliona euro! Djali i xhaxhait u përpoq t’i shpëtonte “kokën” Ergys Agasit, i hoqi natën shishet shumëvjeçare dhe “pastroi” kamerat (DETAJE)

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me vendimin e Prokurorisë së Tiranës, e cila shpalli në kërkim Eno Agasin, djalin e xhaxhait të biznesmenit Ergys Agasi.

Sipas burimeve hetimore, gjatë kontrollit në banesën e Ergys Agasit, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit konstatuan ekzistencën e një kantine vere, ku ndodheshin dhjetëra shishe vere pa pullë fiskale. Në zbatim të procedurave ligjore, BKH njoftoi menjëherë Drejtorinë e Doganave, pasi dyshohej se bëhej fjalë për mall kontrabandë.

Koleksioni i verërave rezultoi të ishte me vlerë shumë të lartë, ku disa prej shisheve datonin që nga viti 1922. Organi i akuzës ngriti dyshime se përmes kësaj kantine dhe koleksionit të verërave mund të ishin kryer edhe veprime të pastrimit të parave.

Përfaqësuesit e Doganave kryen inventarizimin e plotë të mallit, një proces që zgjati disa orë, duke përllogaritur një dëm ekonomik prej rreth 400 milionë lekësh ndaj buxhetit të shtetit, si pasojë e mospagimit të akcizës. Për shkak se ishte orë e vonë dhe transporti nuk mund të realizohej, malli u la nën ruajtje në ambientet e vilës.

Gjatë natës, sipas hetimeve, Eno Agasi dyshohet se ka larguar të gjithë koleksionin e verërave nga kantina, si dhe ka hequr serverin e kamerave të sigurisë. Kur mjetet e Doganës u rikthyen për të marrë mallin e sekuestruar, konstatuan se produktet nuk ndodheshin më në ambient.

Sipas burimeve, vlera e një shisheje varionte nga 7 deri në 10 mijë euro, ndërsa bëhej fjalë për verëra të vjetruara nga 70 deri në 100 vjet.

SPAK, në bashkëpunim me BKH-në, zbuloi ditë më parë një skemë të dyshuar kriminale të manipulimit të tenderave të AKSHI-t, përmes presionit, dhunës dhe heqjes së paligjshme të lirisë së biznesmenëve pjesëmarrës në gara. Hetimi çoi në caktimin e masave të sigurisë për tetë persona, me vendim të GJKKO-së.

Mes tyre janë drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi, për të cilat është vendosur masa e “arrestit në shtëpi”. Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiraj akuzohen për vepra të rënda penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë në tendera dhe pastrimin e parave. Për ta është caktuar masa e “arrestit me burg”, por ajo nuk është ekzekutuar pasi të dy vijojnë të jenë në kërkim.

Sipas SPAK, anëtarët e grupit kriminal kanë detyruar kompani pjesëmarrëse në tendera të tërhiqnin ankesat administrative, duke favorizuar kompani të paracaktuara për fitimin e kontratave publike.

Në hetim është përfshirë edhe një zyrtar i Policisë së Shtetit. Zëvendësdrejtori për Hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, Erion Ismaili, është pezulluar nga detyra dhe është ndaluar të dalë jashtë vendit.

Tre biznesmenë të tjerë dyshohen për pjesëmarrje në skemë përmes faturave fiktive dhe pjesëmarrjes formale në gara, ndërsa për ta është vendosur masa “ndalim për të dalë jashtë vendit”. Vlen të theksohet se masa ndaj Agasit dhe Beqirit nuk është ekzekutuar pasi këta të fundit dyshohet se janë larguar jashtë vendit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT