“Ai djali don me ashtu…”, DETAJE të reja: Zbardhja e bisedave zbulon funksionimin e grupit të Hazir Macit që transportonin ilegalisht shqiptarët

Detaje të reja kanë dalë në pah në lidhje me 6 personat të cilët transportit ilegalisht shqiptarët në drejtim të SHBA-ve dhe Kanadasë, përmes një shume të majme parash, afro 35.000 dollarë.
Në dosjen e siguruara nga gazetarja Anila Hoxha, ka dalë në pah një përgjim i bisedës së zhvilluar mes organizatorit të kësaj skeme, Hazir Macit dhe shtetasit Tahir Cena, pasi po bashkëpunonin për transportimin e një shqiptari drejt Italisë.
Teksa bisedojnë për të dhënat e personit që pritet të transportohet, Maci pyet Cenën nëse djali që do kalojë kufirin me dokumente të falsifikuara e kupton mirë gjuhën italiane.
Biseda telefonike mes Hazir Macit dhe Tahir Cenës:
H- Po ca u ba me at djalin?
T- Ai djali don me ashtu, or ti…
H- Po ku janë fotot, e t’dhënat?
T- Ta mar në telefon.
H- Edhe a din a s’din… a din a din me fol mirë italisht? Se nga Italia do ta lëshoj unë atë!
T- Jooo, italisht e din shumë mirë.
H- Shumë bukur, me pasaportë italiane, me t’dhëna… me t’dhën.
T- Rrofsh.
H- Në 4 ka me ik… merre, do mduhen fotot.
T- Hajd.
H- (nuk kuptohet) gjatsi… edhe mbyll puna.
T- Hajt… hajt…”
Më tej në dosjen e siguruara nga Anila Hoxha mësohet se në deklarimin e tij, Tahir Cena pohon njohjen me shtetasin Hazir Maci duke shtuar më tej ser i kujtohet se ka bërë një bisedë të tillë, pasi e kishte pyetur një djalë: nëse e njeh apo nuk e njeh se merret me këtë punë që çon njerëz andej “për jashtë shtetit”. Atij nuk i kujtohen të dhënat e personit, si dhe vendi në të cilin do të ikte personi, por origjina e tij ishte nga Kukësi.
Në bashkëpunim me Zyrën e Hetimit Kriminal jashtë SHBA, Prokuroria e Tiranës ka pushuar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 6 persona (shtetas shqiptarë) të cilët dyshohet se janë implikuar në falsifikim të dokumenteve dhe udhëtim të paligjshëm nga Shqipëria në drejtim të Amerikës.
Më konkretisht, bëhet fjalë për shtetasit: Hazi Maci alias Aleko Maci së bashku me bashkëshorten e tij, Cekrez Nikoci, Ardian Pirani, Alfred Maci dhe Endrit Nezaj, të cilët akuzohen për veprat penale “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave’, ‘Falsifikim i dokumentit’ si dhe ‘Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve’.
Një skemë mashtrimin e ngritur nga Hazir Maci në bashkëpunim me partneren dhe kunatin e tij, do të garantonte “një transportim të sigurtë” por të paligjshëm të shqiptarëve drejt Amerikës.
Prokuroria e Tiranës bën me dije senga aktivititeti i organizuar prej Hazir Macit alias Aleko Maci, shqiptarët pritej të kontrabandoheshin fillimisht në Karaibe për të kaluar më vonë ilegalisht në drejtim të SHBA-ve, për të cilën u duhej të paguanin një shumë prej 35.000 dollarësh.
Hetimet nxjerrin në pah se Maci fillimisht kontrabandonte njerëzit nga vendi ynë për t’i rekrutuar ata pastaj nga vendet e Europës drejt Republikës Domenikane, e prej andej me dokumenta false drejt Kanadasë ose nëpërmjet Porto Rikos duke përdorur dokumenta udhëtimi false për në Florida ose në shtete të tjera të ShBA-së.
Ndonëse fitimet nga kjo veprimtari e paligjshme i kanë siguruar Macit një shumë të majme parash, më e habitshme mbetet fakti që e gjithë skema është organizuar nga ai teksa vuan dënimin arrest me burg në qytetin e Fushë-Krujës.
Të implikuar në këtë skemë rezultojnë dhe partnerja e Hazi Macit së bashku me të afërm të saj. Shtetasja L. M (bashkëshortja e Hazi Macit) shoqëronte shqiptarët në drejtim të Republikës Domenikane, ndërsa vëllai i saj Ardian Pirani merrte porositë përmes linjës Tropojë-Tiranë dhe shfrytëzonte pasaportën e tij Britanike për prodhimin e dokumenteve të tjera të falsifikuara.