“Asnjë lëvizje, asnjë lëvizje! SPAK, kontroll”, del VIDEO: Momenti kur agjentët e BKH-së zbarkojnë te kulla e “4Ever Green”, 30 miliardë lekë në muaj nga “call center” mashtrues

Emisioni investigativ “Le Iene” në Mediaset në Itali, ka publikuar pamjet e operacionit që SPAK dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zhvilluan ditë parë në Tiranë, ku në kullën “4Ever Green” u zbulua një qendër telefonike mashtruese (call center).
Lajmi u raportua gjerësisht javën e kaluar në Itali dhe Shqipëri, me gazetarët italianë që kishin mundur të infiltronin një person brenda grupit që drejtonte këtë skemë mashtrimi dhe të gjitha materialet i dorëzuan në SPAK.
“Zyra e Prokurorit të Posaçëm të Shqipërisë shkatërroi një rrjet që organizonte investime të rreme dhe tregti online për të mashtruar mijëra njerëz. Organizata dyshohet se fitonte midis 20 dhe 30 milionë euro në muaj përmes qendrave të koordinuara të thirrjeve në Evropë dhe me seli në Shqipëri”, thuhet në parantezën e emisionit investigativ italian.
Për të parë VIDEON nga emisioni, KLIKO KËTU!
Sipas Prokurorisë së Posaçme, aktiviteti kriminal nuk ishte i përqendruar vetëm në kullën luksoze “Atti Tower” (njohur dhe si 4Ever Green), përballë Katedrales Ortodokse, por shtrihej edhe në një godinë tjetër prestigjioze të kryeqytetit, “Downtown One”, ku po ngrihej një qendër e “Call-Cetneri”.
Hetimet kanë nxjerrë në pah se skema mashtruese drejtohej nga tre vëllezër, Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj, të cilët dyshohen si organizatorët kryesorë dhe aktualisht janë në kërkim. Ndërkohë, ranë në pranga Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi.
Pamjet tregojnë një strukturë të mirorganizuar, të shtrirë në dy kate të “Atti Tower”, me role të përcaktuara dhe staf që komunikonte në disa gjuhë të huaja për të joshur viktimat në Itali dhe vende të tjera evropiane.
Hetuesit e BKH-së gjetën ambientet e “Atti Tower” të zbrazura, por falë gjurmimit të mjeteve që transportuan pajisjet, arritën të kapin në flagrancë disa persona që po i zhvendosnin ato drejt “Downtown One”.
Në katin e pestë të kësaj kulle u zbulua një tjetër call center në ndërtim e sipër, ku u sekuestruan kompjuterë, telefona, hard disqe, karta SIM, dokumente dhe materiale të tjera të lidhura me aktivitetin kriminal.