Atentati te mbikalimi i Shkozetit! Thellohen provat kundër Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçajt, Adnan Xholi “hermetik” në sallë: Mbylleni derën, janë sekrete

Prokuroria e Posaçme ka paraqitur prova të tjera lidhur me dy të pandehurit Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj të cilët akuzohen për atentatin e ndodhur te mbikalimi i Shkozetit, ngjarje kjo e regjistruar më 1 nëntor të vitit 2019, ku humbi jetën shoferi i ish-prokurorit Arjan Ndoj, Andi Maloku.

Gjatë seancës së mbajtur paraditen e kësaj të premte në GJKKO, prokurori i çështjes, Adnan Xholi paraqiti në sallë 67 fashikuj, duke kërkuar që të mbyllen dyert për mediat në mënyrë që bënte prezantimin e provave.

Sipas Xholit këto të dhëna deri më tani nuk janë bërë publike dhe si rrjedhojë kërkoi sekret të plotë.

“Procesverbalet kanë të bëjnë me zbardhjen e komunikimeve në aplikacionin Sky Ecc etj. Kërkoj të jetë një seancë me dyer të mbyllura për ruajtjen e sekretit hetimor, duke qenë se ka të dhëna që deri më tani nuk janë ekspozuar”, mësohet të ketë thënë Xholi.

Atentati i 1 nëntorit 2019 ndaj Aleksandër Lahos dhe Arjan Ndojës, ku mbeti i vrarë shoferi i Prokurorit, Andi Maloku, dyshohet se është organizuar nga grupi i Plaurent Dervishajt.

Ky i fundit sipas SPAK, ka dashur të hakmerret për atentatin e kryer ndaj tij në qershor 2019. Zbardhja e zinxhirit të ngjarjeve, vite më vonë është bërë falë dëshmisë së një bashkëpunëtori të drejtësisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT