Avokati i Popullit firmos urdhrin e parë; Endrit Shabani kërkon hetim për “dhunimin” e Lapajt me bombol në kokë

Një prej urdhrave të parë të firmosur nga Avokati i Popullit Endrit Shabani, është nisja e hetimit për atë çfarë ka ndodhur në protestën e dy ditëve më parë në bulevardin përballë kryeministrisë, tubim i cili përfundoi me Adriatik Lapajn në spitalin e Traumës i goditur në kokë nga një ngrohëse e madhe.

Mesa duket Shabani me marrjen e detyrës së re, ka hedhur pas krahëve konfliktin e madh për 1 mandat në Kuvend mes tij dhe Lapajt, duke treguar profesionalizëm dhe duke qenë pranë qytetarëve të thjeshtë, në këtë rast protestuesëve që duan të rrëzojnë qeverinë e Edi Ramës.

Dy netë më parë, pas një proteste të organizuar në drekë dhe përplasjeve me policinë, efektivët mësynë në mbrëmje në ‘kampin’ e Lapajt dhe mbështetësve të tij të ngritur të troturarin poshtë kryeministrisë.

Policia kërkonte prishje të tendës së ngritur me plasmasë. Në këtë situatë Lapaj është goditur aksidentalisht nga një ngrohëse e madhe në kokë. Ai u filmua teksa ishte i shtrinë në tokë pa ndjenja e më pas në spitalin e Traumës, ku pas ekzaminimeve të nevojshme, la ambientet e spitalit në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë nga kjo përplasje 4 persona në total u arrestuan, të cilët janë lënë të lirë ditën e sotme. Gjykata e Tiranës ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndërsa Lapaj është proceduar penalisht për herë të 3-të.

Për këto ndodhi Endrit Shabani kërkon hetim për të kuptuar qartë se çfarë ka ndodhur. Për tu rikthyer tek përplasjet e Lapajt dhe Shabanit, e gjitha erdhi pas 1 mandati të fituar në zgjedhjet e 11 majit, pjesë e suksesit të koalicionit të përbashkët “Nisma Shqipëria Bëhet”. Ky mandat nuk i shkoi as Lapajt, i cili luftoi shumë për ta marrë, as Shabanit e pretendentëve të tjerë nga kahu i tij, por Ana Dajkos. Kjo e fundit është e afërme e Adriatik Lapajt, por mandati i takonte si renditja e parë në listat e hapura zgjedhore.

Kujtojmë se betimi i tij si Avokat Populli ka ndodhur mes kaosit të shkaktuar nga opozita në seancën e fundit plenare për vitin 2025. Pavarësisht se mori mbështetjen e 35 demokratëve, deputetët e opozitës nuk donin që Shabani të ishte i përzgjedhuri për Avokat Populli. Por kjo nuk ndaloi Partinë Socialiste dhe 3 deputetët e Socialdemokrates ta votonin në Kuvend, përfshirë këtu dhe Edi Ramën.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT