Bota “sy e veshë” nga Davos, kryeministri Rama nuk shkoi, ja socialisti që ndodhej në qytetin zvicerian dhe përfaqësoi Shqipërinë

Davos në Zvicër ka qenë gjatë ditëve të fundit një nga qytetet më të komentuara në arenën ndërkombëtare, me vëmendjen e opinionit botëror të përqendruar pikërisht aty. Arsyeja ishte mbajtja e Forumit të Davosit, ku mori pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump.
Gjatë këtij takimi, ditën e sotme Trump nënshkroi i pari dokumentin për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes, duke e kthyer atë në një organizatë ndërkombëtare. Pas tij, liderë dhe përfaqësues të shteteve pjesëmarrëse firmosën një nga një, duke formalizuar ngritjen e Bordit të Paqes për Gazën.
Por, u vu re mungesa e kryeministrit Edi Rama, çështje që u komentua edhe në seancën plenare të ditës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë. I pyetur nga opozita se përse nuk ishte i pranishëm në Davos, Rama u përgjigj se kishte zgjedhur të qëndronte në Shqipëri për të mirëpritur vajzën e presidentit amerikan, Ivanka Trump.
Ndërkohë, Shqipëria ka pasur përfaqësim në Davos përmes një tjetër përfaqësuesi të mazhorancës. Paralelisht me forumin politik, është zhvilluar edhe Forumi Ekonomik Botëror, ku ka marrë pjesë deputeti socialist Damian Gjiknuri. Ai ishte i ftuar në një panel ndërkombëtar kushtuar investimeve, ku u diskutua roli i Shqipërisë si një destinacion i ri dhe premtues për kapitalin e huaj.
Gjatë fjalës së tij, Gjiknuri theksoi potencialin ekonomik të vendit, duke vënë theksin te reformat e ndërmarra, stabiliteti makroekonomik dhe sektorët me interes të veçantë për investitorët ndërkombëtarë.
“Në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos, pata kënaqësinë të isha i ftuar në një panel të organizuar nga Global Citizen House me temën “Shqipëria, kufiri i ri i investimeve”.
Së bashku me drejtuesen e Korporatës Shqiptare të Investimeve, Elira Kokona, prezantuam para të pranishmëve klimën e biznesit në vend dhe mundësitë që Shqipëria ofron për investime në disa sektorë të ekonomisë”, shkruan Gjiknuri.