Duke “shijuar” kafen në vendin e tij të preferuar në Tiranë, Kadare përjetësohet në skulpturën e bronztë

Një kafene mes gjelbërimit dhe qetësisë së Liqenit Artificial të Tiranës ishte prej vitesh vendi i preferuar i gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadaresë. Çdo mëngjes Kadarenë do e gjeje pikërisht aty te “Juvenilja”, ku përpos kafes së mëngjesit, ai takonte miq e admirues së tij.
Kafja e fundit e Kadaresë në këtë vend u konsumua të hënën e një dite qershori. Pikërisht më 24 qershor 2024, një javë para se zemra e tij ta tradhtonte dhe të ndalonte së rrahuri. Ndërsa sot, më 28 janar, në ditën kur ai do të mbushte 90 vjeç, miqtë, familjarët dhe shoqja e tij e jetës, Helena Kadare, e kanë përjetësuar kujtimin e tij përmes një statuje, pikërisht në vendin ku ai ulej çdo ditë për të shijuar kafen.
Helena Kadare, gruaja, muza dhe dashuria e shkrimtarit u ul sot pikërisht në tavolinën që ai ulej gjithmonë për të “konsumuar” kështu një kafe të “fundit” në vendin ku krah shokut të saj të jetës, burrit që zemra ja kishte zgjedhur, qante hallet dhe tregonin gëzimet e tyre.
Kjo skulpturë u derdhur në bronz u realizua me mjeshtëri nga skulptori Henri Nimani, ndërkohë që ideja ka qenë e aktorit të mirënjohur Timo Flloko dhe pa dyshim me mbështetjen dhe bekimin e miqve të familjes Kadare.
Sot, kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare, do të festonte 90-vjetorin e lindjes. Por fati deshi që në verën e nxehtë të korrikut 2024, zemra e tij të ndalonte përgjithmonë rrahjet.
Ai u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare, duke lënë pas një boshllëk të madh dhe një dhimbje të thellë për të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër, të punojnë me të dhe të rriten me librat dhe shkrimet e tij të pavdekshme.