Dyshohet se u mor nga rrjedha e përroit, 20 ditë pa asnjë gjurmë! Kosova i vjen në ndihmë forcave shqiptare, niset ekipi i specializuar me pajisjet më të mira

Sot janë mbushur plot 20 ditë, nga zhdukja e Jurgen Karajt 30-vjeçarit të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit të fshatit Dars në Klos. Ndërkohë që ende janë duke vijuar kërkimet për të, sot me urdhër të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani pritet të mbërrijë një ekip i specializuar nga Kosova për kryerjen e kërkimeve nënujore.

Lajmi është bërë i ditur mbrëmjen e djeshme nga Osmani, si Komandante e Përgjithshme e Forcave të armatosura të Kosovës, e cila ka autorizuar një ekip të specializuar për këkrime nënujore të FSK, për t’u dislokuar në Klos, për të ndihmuar kështu në gjetjen e Jurgen Karajt. Mësohet se pajisjet speciale që do të përdoren nga ekipet e kërkimit do të jenë Skaner për ujëra, EDGE TECH 5201, Droni nënujor DEEP Trekker DTG 3 ROV.

Kujtojmë se Jurgen Karaj dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit të fshatit Dars, duke përfunduar në lumin Mat, dhe deri në këto momente nuk është bërë e mundur gjetja e trupit të 30-vjeçarit.

Në operacionin e kërkimit janë të angazhuar polumbarët e RENEA-s, Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër (FNSH), Forca e Posaçme “Shqiponja”, e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe forca vullnetare.

Rreth orës 01:30 të datës 10 Janar, është marrë informacion se në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, një mjet tip “Audi” me targa angleze kishte dalë nga rruga dhe për pasojë kishte rënë në përroin e fshatit Dars.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimi zjarrfikës. Nga veprimet e shpejta u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit Andi Losha, 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos.

Po nga veprimet dyshohet se në automjet ka qenë edhe një pasagjer, shtetasi Jurgen Karaj, 30 vjeç, banues në fshatin Fullqet, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Menjëherë, autoritetet janë vënë në lëvizje për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të gjetur dy të rinjtë që udhëtonin me Audi. Pas disa orësh, shërbimet e Policisë kanë mundur të gjejnë shoferin 24 vjeçar dhe e kanë arrestuar.

Andi Losha akuzohet se pas aksidentit, është larguar nga vendngjarja dhe nuk i ka dhënë ndihmë pasagjerit, 30 vjeçarit Jurgen Karaj, i cili tanimë rezulton i zhdukur.

Ky shtetas iu nënshtrua dhe testit të alkoolit pas ndalimit dhe rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në momentin kur ka ndodhur aksidenti, në orën 01:30 të mëngjesit të datës 10 Janar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT