Ergys Agasi në arrati, avokati kërkon dosjen nga SPAK, Inspektori i Lartë i Drejtësisë regjistron ankesën e Maks Haxhisë

Avokati Maks Haxhia ka deklaruar një javë më parë se ndonëse dosja hetimore ndaj klientit të tij Ergys Agasi ka rrjedhur gjerësisht në media, ai si përfaqësues i mbrojtjes dhe klienti i tij i vënë nën akuzë, ende nuk i kanë në administrim materialet hetimore.

Sipas avokatit, procedimi penal është i vitit 2023 dhe mbrojtja është në terr informativ, ndaj i është drejtuar me kërkesë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe prokurorit të çështjes, si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe gjyqtarit të çështjes.

Sot, konfirmohet se Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka marrë në shqyrtim ankesën e paraqitur nga shtetasi Ergys Agasi, i cili përmes mbrojtjes së tij ligjore ka kërkuar shqyrtimin e mosdhënies së dosjes hetimore nga Prokuroria e Posaçme.

Ankesa, e depozituar dhe e regjistruar zyrtarisht më 19 janar 2026, është bërë publike më herët edhe nga avokati, Maks Haxhia.

Si institucion që mbikëqyr punën e sistemit të drejtësisë, përfshirë SPAK dhe GJKKO, ILD konfirmon se ka regjistruar ankesën dhe se ajo do t’i nënshtrohet shqyrtimit në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

Sipas përgjigjes zyrtare, palët do të njoftohen për çdo vendimmarrje që do të merret në vijim.

Edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka theksuar se respektimi i parimeve kushtetuese të pavarësisë, ligjshmërisë, procesit të rregullt ligjor dhe konfidencialitetit të të dhënave përbën themelin e dhënies së drejtësisë dhe një kusht të domosdoshëm për besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Sipas qeverisë së prokurorëve, këto parime janë garanci kushtetuese për zhvillimin e një procesi penal të drejtë dhe për mbrojtjen e të drejtave të palëve në proces.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë sqaron se nuk ka kompetencë të drejtpërdrejtë për të ndërhyrë në çështje konkrete penale, duke theksuar se çdo pretendim për shkelje ligjore apo disiplinore trajtohet nga organet përgjegjëse, sipas mekanizmave të parashikuar nga ligji.

Nisur nga këto rrethana dhe të tjera në dosje e në procesin penal, avokati Maks Haxhia është shprehur se klienti i tij, Ergys Agasi, është larguar nga Shqipëria dhe është shprehur se i ka sugjeruar të mos kthehet, pasi procesi ka anomali të mëdha dhe duan “t’ia hedhin çelësat në det”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT