“Fatin e Enver Hoxhës do ta kesh”, Berisha rishfaqet pas gazit që iu hodh, i bën thirrje Ramës: Sot, ta dhashë mesazhin më të fuqishëm

Ish-kryeministri Sali Berisha i cili pas gazit të hedhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u drejtua drejt selisë blu, ka dalë në një deklaratë për mediat ku dhe shihej në gjendje të mirë shëndetësore.
Në fjalën e mbajtur para protestuesve të cilët u mblodhën para ambienteve të “shtëpisë” së demokratëve, Berisha theksoi se protesta e sotme i dha një mesazh të qartë kryeministrit Edi Rama, teksa akuzoi më tej policinë për përdorim të tepëruar të dhunës, përfshirë gazit lotsjellës, ujit dhe mjeteve të tjera ndaj qytetarëve.
Duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si policia u soll ditën e sotme me protestuesit, por dhe gazetarët, Berisha kërkoi lirimin e menjëhershëm të 25 protestuesve të ndaluar.
Ai paralajmëroi vazhdimin e protestave dhe u shpreh se opozita është e vendosur ta çojë betejën deri në fund, duke e cilësuar përballjen si vendimtare për rrëzimin e qeverisë aktuale. Protesta e radhës, sipas tij do të njoftohet në vijim.
“Mesazhin më të fuqishëm Edi Ramës mesazhi ishte i thjeshtë: vrimën e miut nuk do ta gjesh më. Nëse je burrë, ja thashë dje, ja thashë dje, në rast se je burrë qëndro në zyrë, por as në zyrë nuk ishte, por në tunelet e Surrelit ishte.
Narkopolicia përdori në agresivitet absolut mjetet e dhunës, sulmoi në mënyrë të çmendur protestuesit me gaz helmues, me topa uji dhe me mjete të tjera. Domethënë, Edi Rama kërkonte përleshjen e policisë e demonstruesve me policinë, e garantoj që protestuesit do të përleshen me Edi Ramën dhe i them këtu mos ndërse policinë kundër protestuesve. U bëj thirrje policëve: mos u bëni ushtarë, shërbëtore të një njeriu që nuk ka ligj dhe as moral, mos u bëni shërbëtore të një njeriu që çdo tullë të shtëpisë së vet e ka të vjedhur, mos u bëni shërbëtore të një njeriu që është armik i egër i çdo shqiptari.
Sot duhet të betohemi se me këtë betejë kilometrin e fundit do të jetë kilometri i fundit, do të jetë fundi i merituar i Edi Ramës dhe narkoqeveritarëve. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të 25 protestuesve paqësorë, të cilët në mënyrë absolute, me të gjithë dokumentacionin, nuk kanë kryer asnjë akt dhe janë marrë aty si akt urrejtjeje.
Ju kërkoj komisariateve t’i lirojnë menjëherë, të mos zbatojnë asnjë urdhër që vjen në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Nuk mundet kurrë një popull me asgjë, me asgjë, ju e patë vetë, ju ishit vetë aty, ju e patë gatishmërinë e atyre njerëzve që ishin të gatshëm t’i iknin Edi Ramës në 30 minuta atë që meritonte. Kjo gatishmëri do të vazhdojë, ne këtë betejë do ta vazhdojmë, ne kemi një mision, përmbysjen e këtij regjimi. Fatin e Enver Hoxhës do të ketë. Protestën e radhës do ta njoftoj”, tha Berisha.