FOTO/ Amerikanët nuk harrojnë Altin Dumanin, e vizitojnë në SPAK, ish-kryeprokurori merr zyrën e shefit me numër “309”

E Ngarkuara me Punë e SHBA në Shqipëri, Nancy VanHorn ka shkuar pasditen e kësaj të enjte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku është takuar me kryeprokurorin e ri Klodjan Braho dhe po ashtu, shefin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta.
Menjëherë sapo ka uruar Brahon për detyrën, diplomatja amerikane ka takuar dhe disa nga prokurorët e SPAK, mes tyre ish-kreun Altin Dumani.
Njeriu me të cilin ata bashkëpunuan më shumë dhe e ngritën nivelin e hetimit në një standard të ri, duket se është një vlerë që amerikanët nuk e harrojnë lehtë. Nancy VanHorn ka shkuar në zyrën e tij dhe me sa kuptohet nga fotografitë, Altin Dumani ka marrë zyrën me numër 309.
Ky numër tërhoqi vëmendjen një muaj më parë, kur zhvillohej gara për pasuesin e Altin Dumanit në krye të SPAK dhe Ambasada Amerikane ndau pamje nga zyra 309, e cila i përkiste deri në Dhjetor Klodjan Brahos.
Në opinion u artikulua fakti se amerikanët e kishin zgjedhur kreun e ri të organit më të lartë të akuzës në Shqipëri, ashtu siç në fakt ndodhi, kur Klodjan Braho u zgjodh kryeprokuror i SPAK.
Selia diplomatike e Rrugës së Elbasanit thotë se Nancy VanHorn përgëzoi Brahon dhe Ketën për rolet e tyre të reja drejtuese, duke ritheksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve.