Ftesa e Donald Trump i kushtoi Ramës 1 miliard euro? Si qëndron e vërteta për palestinezët që thuhet se do të vijnë në Shqipëri, kryeministri vendos pikat mbi “i”

Menjëherë sapo kryeministri Edi Rama njoftoi ditën e djeshme se është ftuar nga presidenti amerikan Donald Trump për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një strukturë e ideuar dhe sapokrijuar nga SHBA-të që do të qeverisë Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës mes Hamasit dhe Izraelit, një sërë teorish “konspirative” kanë qarkulluar në rrjet.
Disa kanë aluduar se Shqipëria, ashtu sikurse çdo vend i ftuar në këtë tryezë do të paguajë 1 miliardë euro, ndërkohë disa të tjerë kanë ngritur pretendimet se për këtë ftesë kryeministri Rama i ka “premtuar” Amerikës që do të marrë palestinezë në Shqipëri.
E së fundmi ka qenë vetë kreu u qeverisë i cili përmes një postimi në platformën “X”, ka hedhur poshtë këto aludime dhe pretendime që sipas tij janë të pavërteta, duke sqaruar kështu publikisht se çfarë qëndron realisht pas kësaj ftese.
Kryeministri u shpreh se “tenxheret politike mediatike po bubullojnë e gërrgërrojnë aq fort sa thua se në Bordin e Paqes së Presidentit Trump nuk është ftuar Shqipëria, po një vend armik i Shqipërisë”, ndërsa theksoi prerë se pretendimet se në Bord janë ftuar të gjitha shtetet e OKB-së, se Shqipëria do të paguajë 1 miliardë euro apo se palestinezët do të vijnë në Shqipëri janë “GËNJESHTRA”.
Sipas Ramës, e vërteta është shumë më e thjeshtë dhe lidhet me respektin ndërkombëtar që Shqipëria ka fituar.
“Tenxheret politike e mediatike të mexhelisit tonë janë teneqera të zhurshmshme Shqipërisë së vjetër, ndërsa kjo që po vazhdojmë të ndërtojmë me shumë mund e këmbëngulje të madhe është një Shqipëri Tjetër, e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht”, thekson Rama në reagimin e tij.
Reagimi i Edi Rames:
Tenxheret politike mediatike po bubullojnë e gërrgërrojnë aq fort sa thua se në Bordin e Paqes së Presidentit Trump nuk është ftuar Shqipëria, po një vend armik i Shqipërisë!
Në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB
GËNJESHTËR
Shqipëria do të paguajë 1 miliardë EURO
GËNJESHTËR
Palestinezët do të vijnë në Shqipëri
GËNJESHTËR
E vërteta është shumë e thjeshtë se sa ç’pjell, sidomos në çdo rast kur nderohet Shqipëria, mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë:
Tenxheret politike e mediatike të mexhelisit tonë janë teneqera të zhurshmshme Shqipërisë së vjetër, ndërsa kjo që po vazhdojmë të ndërtojmë me shumë mund e këmbëngulje të madhe është një Shqipëri Tjetër, e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht.
Sa për mua personalisht, rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve, që më kanë ngjitur e mbajtur katër herë në majën e shtetit shqiptar dhe respekti i atyre që janë në majat e botës a të Europës, i cili më duhet mbi të gjitha për të nderuar e lartësuar Shqipërinë.
Ky është një moment i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku tërbimi i tenxhereve thjesht na siguron se sa më shumë lehin qentë, aq më përpara është duke shkuar karvani