Gonxhja takohet me kryetarin e Bashkisë së Madridit, dialog ndërkombëtar për turizmin

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, zhvilloi sot në 23 janar një takim me kryetarin e Bashkisë së Madridit, José Luis Martínez-Almeida, gjatë pjesëmarrjes së tij në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit #FITUR në Madrid, një nga ngjarjet më të mëdha dhe më prestigjioze në fushën e turizmit në botë.

Takimi mes dy zyrtarëve u fokusua në bashkëpunimin ndërkombëtar për promovimin e turizmit, shkëmbimin e përvojave dhe mundësive për zhvillimin e projekteve të përbashkëta, që mund të sjellin përfitime të ndërsjella për Shqipërinë dhe Spanjën.

Gonxhja u shpreh i kënaqur për mundësinë e dialogut të drejtpërdrejtë me udhëheqësit vendorë të destinacioneve turistike europiane dhe nënvizoi rëndësinë e panaireve të këtij lloji si platforma kryesore për të forcuar lidhjet ndërkombëtare dhe për të tërhequr investime dhe vizitorë në vend.

“Kënaqësi të takoja Kryetarin e Bashkisë së Madridit, José Luis Martínez-Almeida, gjatë #FITUR, në një panair lider që mbetet një platformë kyçe për dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e turizmit”, shkruan Gonxhja në rrjetet sociale.

Ky takim vjen në një moment kur Shqipëria synon të rrisë prezencën e saj në tregjet ndërkombëtare të turizmit dhe të promovojë destinacionet e saj kulturore, historike dhe natyrore si një alternativë atraktive për turistët nga Evropa dhe më gjerë. Zyrtarët e të dy vendeve diskutuan gjithashtu mundësitë për organizimin e aktiviteteve kulturore të përbashkëta, shkëmbimin e eksperiencave në menaxhimin e destinacioneve turistike dhe nxitjen e turizmit urban dhe kulturor.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT