Groenalanda “në panik” nga pushtimi i Trump: Mbrojtja e Arktikut duhet të jetë nën NATO

Qeveria e Groenlandës në një deklaratë të dhënë ditën e sotme tha se se do të shtojë përpjekjet për të siguruar që mbrojtja e territorit të Arktikut të zhvillohet nën kujdesin e NATO-s dhe përsëri hodhi poshtë ambicien e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të marrë përsipër ishullin.
Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të zotërojnë Groenlandën, një pjesë autonome e Mbretërisë së Danimarkës , për të parandaluar që Rusia ose Kina të pushtojnë territorin e vendosur strategjikisht dhe të pasur me minerale në të ardhmen.
“Të gjitha shtetet anëtare të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë një interes të përbashkët në mbrojtjen e Groenlandës”, tha qeveria e koalicionit të ishullit në një deklaratë, duke shtuar se nuk mund të pranojë në asnjë mënyrë një pushtim të Groenlandës nga SHBA-të.
“Si pjesë e komonuelthit danez, Groenlanda është anëtare e NATO-s dhe mbrojtja e Groenlandës duhet të bëhet nëpërmjet NATO-s”, tha qeveria.
Komisioneri i Bashkimit Evropian për Mbrojtjen dhe Hapësirën, Andrius Kubilius, tha më herët të hënën se çdo pushtim ushtarak i Grenlandës nga SHBA-të do të ishte fundi i NATO-s .
Trump e hodhi për herë të parë idenë e marrjes së Groenlandës nga SHBA-të në vitin 2019 gjatë mandatit të tij të parë në detyrë, megjithëse përballet me kundërshtime në Uashington, përfshirë edhe nga brenda partisë së tij.
Ndërsa Danimarka e ka sunduar Groenlandën për shekuj me radhë, territori ka lëvizur gradualisht drejt pavarësisë që nga viti 1979, një qëllim i ndarë nga të gjitha partitë politike të zgjedhura në parlamentin e ishullit.
“Ne jemi një shoqëri demokratike që merr vendimet e veta. Dhe veprimet tona bazohen në të drejtën ndërkombëtare”, shkroi në LinkedIn kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen.