“Hesapet” me Shehajn ende të palara, Adriatik Lapaj braktis për disa orë qëndresën te Rama dhe shkon në GJKKO

Kreu i “Shqipëria Bëhet” është larguar mëngjesin e sotëm nga ambientet para Kryeministrisë për t’u paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Adriatik Lapaj ka shkuar sot në GJKKO për të marrë pjesë në seancën e radhës ku i paditur nga ana e tij është deputeti dhe kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj.
Burime për mediat bëjnë me dije se kjo seancë u shty për në datën 21 Janar, ndërkohë që Lapaj u largua për t’u rikthyer sërish poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama, aty ku dhe po qëndroj prej një muaji tanimë.
Kujtojmë se më 1 prill të vitit të kaluar Lapaj dorëzoi në Prokurorinë e Posaçme një padi për shpifje ndaj kreut të Partisë Mundësia.
Shehaj e akuzoi Lapajn se kishte marrë 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e sekuestruar nga SPAK pasi përdorej për të pastruar paratë e grupit kriminal të “Çopjave”.
Në një deklaratë për mediat, asokohe Lapaj tha se kjo padi ka ardhur pas deklaratave publike të bëra nga Shehaj, të cilat sipas tij janë të pavërteta dhe denigruese ndaj figurës së tij profesionale dhe publike.
“Nuk kam dashur që të krijoj një kurs konflikti mes të resë. Por kush kërkon luftë, luftë do të gjej. Sot po dorëzoj si i dëmtuar padinë pranë GJKKO dhe zoti Shehaj duhet të vijë këtu me dokumente që të provojë pretendimet. Unë Adriatik Lapaj nuk kam në republikën e Shqipërisë, as unë, as nëna dhe as babai, as familjarë të mi, asnjë metër tokë në republikën e Shqipërisë. Ka pretenduar se kam përfaqësuar kompani të krimit që janë sekuestruar nga SPAK dhe kam marrë lekë.
Të dalë një gazetar nëse kam marrë një cent. Si mund të merren para nga kompani që janë sekuestruar. Ka pretenduar se kam përfaqësuar në Apel çështje që në Gjykatën e Shkallës së Parë i ka gjykuar vjehrri im. Ftoj gazetarët të gjejnë një vendim që Lapaj ka përfaqësuar një çështje që ka gjykuar vjehrri. Ka pretenduar se ka regjistruar në hipotekë pronë që ka dhënë vjehrri im”, tha Lapaj ndër të tjera më 1 prill të vitit të kaluar.