Historia e pa treguar për shqiptarët fisnikë, si i shpëtuan hebrenjtë nga HOLOKAUSTI! Ç’bëri Mihali 17-vjeçar për jetët e familjeve

Sot më 27 janar në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit kur përkujtohen miliona viktima të gjenocidit të Gjermanisë naziste, ne sjellim në vëmendje një pjesëz nga “Historia e patreguar e Fisnikëve Shqiptar të cilët i shpëtuan hebrenjtë nga Holokausti” me autor Harvey Sarner.
Shqipëria është i vetmi vend i pushtuar nga gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore ku hebrenjtë nuk u vranë. Fatkeqësisht, bujaria dhe heroizmi i popullit shqiptar nuk është njohur dhe propaganduar sa e si duhet por në këto copëza rrëfimesh do mund të njiheni me disa histori tejet interesante:
Ne vitin 1991, siç shkruante edhe Mal Berisha shumica e bashkësisë hebreje u vendos në Izrael. Ata sollën me vete dokumente të cilat tregonin se si shqiptarët i kishin shpëtuar duke rrezikuar veten e tyre e që pikërisht ky akt i madh unik, njerëzor duhej të gëzonte nderin që i takonte.
“…Mihal Lekatari, ne vitin 1942 refugjatë hebrenj të liruar nga burgjet italiane u dërguan në Kavajë. Familjet hebreje nuk kishin pasaporta shqiptare gjë që përbënte një problem serioz. Mihal Lekatari, një djalë ortodoks 17 vjeçar e kuptonte rrezikun që u kanosej atyre familjeve. Një mëngjes herët, ai u armatos dhe shkoi tek posta e policisë pasi pandehte se nuk do të gjente njeri në punë aq herët por u befasua kur gjeti aty një sekretar. Megjithatë, falë guximit që e karakterizonte, i mori të gjitha kartat e identitetit, rreth 50 copë, dhe e porositi sekretarin të mos fliste nëse e donte veten dhe familjen.
Refik Veseli me shokë të tjerë i siguruan fotografitë e nevojshme për pasaportat por prapëseprapë ato nuk mund të përdoreshin pasi nuk kishin as vula të njoma as të thata. Mihali iu kthye edhe një herë postës së policisë dhe i siguroi ato. Kur ndodhi kjo, Mihali ishte nxënës në shkollën pedagogjike. Përse e beri ai këtë veprim? Përgjigja e tij vjen gati një gjysmë shekulli më vonë: Nuk ka arsye fetare që më shtynë ta beja këtë. Unë u përpoqa t’ i shpëtoja ata njerëz pasi ishin në situatë tmerrësisht të rrezikshme.
Për mua s’kishte asnjë rëndësi se çfarë feje apo kombësie kishin. Ne i deshëm ata njerëz. Mirënjohja që shfaqin ndaj meje më bën të lumtur. Ky është shpërblimi më i madh. Një prej përdoruesve të këtyre dokumenteve fallse e ruan edhe sot e kësaj dite fotografinë e cila i ishte bashkëngjitur “kartës” së tij dhe e quan atë si dhuratën më të çmuar e më të bukur që ka marrë ndonjëherë. Ai e përqafon Mihalin dhe i thotë: “Flori, Ju, familja juaj dhe tërë populli shqiptar jeni flori i pastër.” Nuk është për tu çuditur pse hebrejtë shpëtuan nga treni i vdekjes. Njerëz si Mihali e bënë këtë. Ai tanimë është nderuar me titullin Fisnik.
-Besim e Aishe Kadiu, gjate pranverës dhe verës së vitit 1944, që ishte edhe koha më e rrezikshme, familja Kadiu i hapi derën dhe e strehoi një familje hebreje.
– Shyqyri Myrto, fshehu Josef Jakoelin dhe motrën e tij Eriketa nga marsi deri në nëntor 1944. Pesëdhjetë vjet me vonë, duke ndenjur në një dhomë të rehatshme në Izrael, Shyqyriu, tani tetëdhjetë vjeç me një beretë të vjetër në kokë, i mbështetur tek shkopi i tij dëgjonte tregimet e vajzës së Josef Jakoelit se si i kishte shpëtuar babai. “Në kulmin e terrorit gjerman ai i dërgoi babain dhe hallën nga një shtëpi në tjetrën, nga një oborr tek tjetri, nën hundën e nazistëve të cilët gjuanin për hebrenj deri sa gjeti një vend të sigurt për ta.” Sytë e saj shkëlqenin nga admirimi për burrin që e nxori babain dhe hallën e saj nga kthetrat e sigurta të vdekjes. Ne e pyetëm se përse i kishin bërë këto gjeste kaq fisnike dhe Shyqyriu thotë : “Ndoshta ju mendoni se ne e bëmë këtë për humanizëm. Feja jonë muslimane na mëson që të ndihmojmë gjithkënd që është në pozitë të vështirë ose në rrezik…
-Toli dhe Todi nga Kavaja, strehuan Jozef Adixhedin…
…Pas luftës, shqiptarët jetuan në një shtet policor i cili i kufizonte liritë për të gjithë shqiptarët, rrjedhimisht edhe për hebrenjtë. Ishte e rrezikshme të flisje gjuhë të huaj, të lexoje libra të ndaluara, të shprehje opinione të caktuara, të dëgjoje radio apo të shikoje programe televizionesh të huaja…
… nxjerre nga “Shpëtimi – Historia e patreguar e Fisnikëve Shqiptar të cilët i shpëtuan hebrenjtë nga Holokausti “ (Harvey Sarner)