“I vetmi ndërkombëtar që arrin të takojë Berisha është Albana Vokshi”, analisti i ashpër me PD: Të enjten votojnë për Ramën, të shtunën duan ta rrëzojnë

Analisti Arian Curri në studion e “Top Story” mbrëmjen e sotme, ka analizuar fabulën e protestës së të shtunës të thirrur nga Partia Demokratike e të lobuar nga Sali Berisha si kilometri i fundit drejt fitores.
Ashtu si dhe më parë protesta dështoi, pasi qëllimi për të rrëzuar qeverinë e Ramës nuk u realizua. Curri thotë se PD po e shkatërron me duart e veta protestën referuar këtu faktit se të enjtën voton Ramës për të përfaqësuar Shqipërinë në SHBA dhe të shtunën dëshiron ta rrëzojë.
Ndër të tjera, analisti komenton videon e Berishës në një foltore i vetëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg, një veprim “dëshpërues” për të qenë në skenën ndërkombëtare që pas shpalljes non grata. Curri thotë se ka informacione për disa lobime që Berisha të arrijë të takohet me një ambasador grek, po ky i fundit duket se refuzon binshëm.
Nga ana tjetër Curri thotë se peshorja anon nga kryeministri Edi Rama, i cili me dy liderët më të fuqishëm sot, Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu, ka raportet më të mira dhe se i vetmi i humbur dhe izoluar këtu është Sali Berisha.
“Në izolim real është Sali Berisha, i cili ndërkombëtaren e vetme që takon jashtë vendit është Albana Vokshi”, tho Curri referuar faktit se Vokshi është përfaqësuesja e PD-së në KiE, vendin e të cilës e mori Berisha sot si anëtar zëvendësues.
“Protesta po vritet nga vetë PD-ja. Nuk mund të thërrasësh njerëzit të shtunën për të rrëzuar Edi Ramën, kur të enjten votove Edi Ramën për të përfaqësuar Shqipërinë dhe të shkojë në Uashington. Nëse PS-ja dhe PD-ja janë me Trumpin, atëherë le të rrinë në këto opozita dhe të luftojnë kush do të fitojë në favor të Trumpit.
Elementi i dytë që vura re ishte udhëtimi që bëri Sali Berisha në Strasburg. Izolim total. Nuk e di ç’kishte bërë një video aty pas asnjë mikrofon përpara. U çudita. Ndoshta gjeti një foltore dhe vajti atje. Nuk mbaj mend të ketë takuar ndonjë ndërkombëtar Berisha pasi është bërë non-grata.
Kam një informacion që po lobohet nga disa deputetë të PD-së që Berisha të takohet me një ambasador grek, por as atij ose asaj nuk po i mbushet mendja.
Të shtunën që këta bënin protestën, unë udhëtova jashtë, dhe eksponent të PD-së ishin në aeroport duke udhëtuar jashtë. Goxha të rëndësishëm. Po mundoheshin të fshiheshin, mos të dukeshin. Shkova dhe i pyeta vetë: ‘Si ka mundësi’.
Edhe gazi që këta u ankuan se ishte i skaduar, edhe ai ishte në ndihmë të protestës së PD-së. Gazi kur skadohet, e humbet atë aftësinë helmuese. Që mos t’i helmojnë shumë, i kanë hedhur gaz të skaduar. Ja kanë hedhur me hatër që protesta të mbante më shumë.
Këtyre i është shkërmoqur e gjithë fabula. ‘Rama ra’, ‘Rama u izolua’, ‘Rama e ka keq me amerikanët’, u shkërmuan. Rama, me dy persona që po drejtojnë botën, priti vajzën e Donald Trump dhe takoi Netanyahun, me këta dy persona, e ka muhabetin më mirë se me çdo tjetër. Në izolim real është Sali Berisha, i cili ndërkombëtaren e vetme që takon jashtë vendit është Albana Vokshi”, tha Curi.