Ish-prokurori tregon lojën proceduriale që rrezikon të rrëzojë kërkesën e SPAK-ut dhe të mbyllë dosjen “Balluku”

Ish-prokurori Eugen Beçi ka artikuluar hapur atë që e cilësoi si një “lojë proceduriale” mes Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendit, e cila, sipas tij, rrezikon të çojë në rrëzimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut.
Sipas ish-prokurorit, lidhja që po tentohet të krijohet mes procesit në Gjykatën Kushtetuese dhe procedurës parlamentare për heqjen e imunitetit është juridikisht e pambështetur.
“Janë dy procese që ecin paralelisht me njëri-tjetrin. Janë dy procese që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën, as në jurisprudencë, as në konceptin e masave të sigurimit.”
Beci nënvizoi se SPAK, sipas tij, është treguar i kujdesshëm proceduralisht duke ia bërë të qartë si politikës, ashtu edhe Gjykatës Kushtetuese, se bëhet fjalë për dosje të ndryshme.
“Prokuroria e posaçme është treguar e kujdesshme procedurialisht t’i tregojë politikës dhe Gjykatës Kushtetuese që një dosje në Gjykatën Kushtetuese nuk ka lidhje me dosjen tjetër në Parlament.”
Duke iu referuar skenarit aktual, ish-prokurori paralajmëroi se vonesat mund të kenë një efekt konkret dhe të parashikuar nga ligji.
“Në rast se Gjykata Kushtetuese vazhdon të vonojë dhe komisioni i mandateve, për rrjedhojë e gjithë procedura parlamentare, nuk arrin të marrë një vendim brenda tre muajve, atëherë kërkesa e Prokurorisë së Posaçme quhet e rrëzuar.”
Këtë situatë, Beci e cilësoi hapur si një mekanizëm për t’u fshehur pas procedurave.
“Kjo duket si një lojë proceduriale për t’u fshehur pas gishtit. Politika nuk kërkon të flasë drejtpërdrejt me gjuhën e duhur dhe thotë: më kaluan afatet.”
Ai shtoi se kjo nuk është hera e parë që, sipas tij, politika ka luajtur me afatet proceduriale.
“Madje disa syresh edhe kanë shpëtuar ndaj akuzave ose denoncimeve për afera të mëdha, pikërisht duke luajtur me afatet e procedurave.”
Një tjetër pikë kritike, sipas ish-prokurorit, është roli që po merr Gjykata Kushtetuese në këtë proces.
“Në pamje të parë duket sikur Gjykata Kushtetuese është kthyer në një gjykatë apeli të masave të sigurimit, gjë që nuk duhet të ndodhë.”
Beçi sqaroi se, sipas tij, kryeministri mund të ishte legjitimuar t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese vetëm për çështje parimore, si përputhshmëria e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale me Kushtetutën, por jo për një masë konkrete sigurimi.
“Në asnjë mënyrë për të thënë për një masë sigurimi konkrete dhe për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese, duke e kthyer atë në një gjykatë apeli.”
Në lidhje me mundësinë e dërgimit të çështjes në Komisionin e Venecias, ish-prokurori u shpreh skeptik, duke e parë këtë si një tjetër instrument zvarritjeje.
“Ta themi troç: sot kjo mund të shfrytëzohet vetëm për një qëllim, për të zvarritur procesin.”
Ai theksoi se opinioni i Venecias është konsultativ dhe jo detyrues dhe se precedentët në Shqipëri tregojnë, sipas tij, se këto opinione shpesh janë përdorur vetëm për të fituar kohë.
“Kjo është vetëm një lojë proceduriale.”
Duke folur për rolin e Kuvendit, Beçi e quajti “skandaloze” zyrtarizimin e lidhjes mes dy çështjeve të ndryshme.
“Parlamenti dje zyrtarizoi lidhjen mes dy çështjeve dhe kjo është skandaloze. Nuk kanë lidhje. As në jurisprudencë, as në materie, as në formë.”
Sipas tij, Kuvendi nuk ka kompetencë të vlerësojë prova apo të paragjykojë vendimet e gjykatave.
“Organi i vetëm që vlerëson provat dhe cakton fajësinë apo pafajësinë e një personi është gjykata.”
Në përfundim, ish-prokurori ngriti një pikëpyetje thelbësore për reformën në drejtësi dhe besimin e politikës tek sistemi që, sipas tij, vetë ajo ka ndërtuar.
“Në momentin që kërkohet imuniteti i një anëtari tënd dhe ti nuk e jep, minimalisht tregon mungesë besimi te drejtësia që ke ndërtuar vetë dhe maksimalisht pengon punën dhe ecurinë normale të një hetimi objektiv.”