Kapja e Maduro-s me kosto të rëndë njerëzore, 55 ushtarë humbën jetën

Arrestimi i presidentit Nicolas Maduro dhe gruas së tij Cilia Flores, i kushtoi Donald Trump 57 viktima në total. 32 prej tyre i përkisnin forcave ushtarake kubaneze ndërsa 23 të tjerë ishin pjesë e mbrojtjes së Venezuelës.
Pavarësisht bilancit të rëndë në jetë njerëzish, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka cilësuar operacionin e 3 janarit si brilant, “një ndërhyrje që asnjë shtet tjetër në botë nuk do të arrite ta bënte me të njëjtin nivel efikasiteti”.
Amerika bombardoi bazat ushtarake në Venezuelë në orët e vona të 3 janarit. Shënjestër e operacionit të SHBA-së që drejtohej nga Trump, ishte presidenti Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij, të arrestuar nga forcat speciale “Delta Force” në një ndërtesë të fortifikuar në Karakas.
Trump e përshkroi bastisjen në rezidencën e Maduro-s si një veprim të guximshëm dhe të suksesshëm, duke e cilësuar atë si një demonstrim të qartë të aftësive ushtarake të SHBA-së.
Pavarëisisht rënies së Maduros, Venezuela vijon të mbetet në kaos. Vetëm ditën e sotme, disa orë pasi zv/presidentja Delcy Rodriguez mori vendin e Maduros, në rezidencën presidenciale u regjistruan të shtëna me armë zjarri.
Sipas informacioneve paraprake hapja e zjarrit nga ana e ushtrisë erdhi për shkak të dronëve që po fluturonin mbi ndërtesë, të cilët nuk janë specifikuar nëse ishin dronë të përdorimit civil apo ushtarak.
Ndërkohë disa figura kyçe të regjimit të Maduros vazhdojnë të mbajnë poste të rëndësishme, ndërsa qytetarët raportojnë se frika dhe intimidimi janë ende të pranishme në rrugë. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë forca policore të armatosura duke patrulluar Karakasin dhe duke brohoritur slogane si “gjithmonë besnikë, kurrë tradhtarë”.
Spekulime qarkullojnë dhe për një tradhti të mundshme nga ana e Rodriguez. Mediat ndërkombëtare flasin për kontakte të drejtpërdrejta me figura kyçe të regjimit duke siguruar bashkëpunimin nga brenda.
Operacioni i Shteteve të Bashkuara në Venezuelë ka nxitur mjaft reagime pro dhe kundër. Reagime të forta ka pasur nga Irani dhe Kina që janë pozicionuar kundër, ndërsa Evropa bën thirrje për respektin të së drejtës ndërkombëtare.