Kundër bashkimit me Pastrimin, punonjësja e Gjelbërimit “ultimatum” prefektes: Punoj që nga koha e Enver Hoxhës, ti në 31 dhjetor e 1 janar rri në shtëpi, unë punoj

Punonjësit e Ndërmarrjes së Gjelbërimit në Vlorë kanë kundërshtuar bashkimin e Gjelbërimit me Pastrimin, duke thënë se vendimi rrezikon vendet dhe kushtet e tyre të punës.
Një prej punonjëseve më të vjetra ka ngritur shqetësimin e saj lidhur me këtë vendim të marrë së fundmi nga institucionet, presionit që po u bëhet, mosnjohjen e kategorisë profesionale dhe mospagim të ditëve të punës e festave zyrtare.
Ajo thekson se kontrata e re nuk përmend fare gjelbërimin dhe se puna po kufizohet me justifikime, ndërkohë që qyteti, sipas saj ka më shumë nevojë se kurrë për mirëmbajtje të hapësirave të gjelbra. Ndër të tjera ajo ka kërkuar që prefektja e Vlorës të marrë në konsideratë kërkesat e tyre, ose në të kundërt do t’i drejtohen kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Bajram Begaj.
“Pse nuk më le tani të punoj, zonjë? Ne kemi ardhur me respektin më të madh, të përulem, si prefekte që je, kërkoj nga ju të na mbështesni. Ose do t’i nisim email kryeministrit dhe presidentit. Dhe po u ngritëm ne, atëherë, përderisa ti e mbyll ndërmarrjen e gjelbërimit, taksën pse ua merr”, ka thënë ajo ndër të tjera.
Pjesë nga fjala e punonjëses:
Kam bërë një kurs, kam një kategori që këta nuk ma njohin dhe po thonë Enveri diktatori. Nëse ata u bënë të majtë gjatë rrugës, unë kam lindur e majtë. E kam pasur xhaxhain 12 vite kryetar këshilli dhe mua nuk më flakin në rrugë patronazhistët. Po më bëhet presion psikologjik, nëse ti nuk firmos kontratën s’ke të drejtë në punë.
Kam filluar punë data 1. Data 2. Ti, zonja prefekte, ke qenë pushim. Unë kam qenë në punë 31, 1, 2 dhe nuk më paguhet, me çfarë të drejte? Kur në kohën e Enverit dita e diel pushim, data 1 maj pushim, bëhej paradë, 28-29 Nëntori pushim dhe unë kur dilja në 1 Maj dhe 28-29 Nëntor, sepse isha e detyruar të dilja, nëse punoja deri në orën 11 merrja 150%, nëse punoja deri në orën 2 merrja 200%, mua kjo e drejtë më është hequr dhe aq më keq, në këtë kontratë nuk flitet fare për gjelbërim. Më thonë nuk ka punë se bie shi.
Nëse më pyet mua, jam punëtore e vjetër, tani ka më shumë punë se atëherë, në behar. Tani ka punë barishte të këqija. Unë do shkoja te drejtoresha dhe do t’i thoja: Merr eskavatorin dhe nxirre trafikndarësen, dhe isha gati të flisja të bëjnë pengesën siç ka qenë atëherë, kur kishe lezet të dilje në rrugën Vlorë-Skelë, ishte me trëndafila, me lule.
Tani nuk ka asgjë. Pse nuk më le tani të punoj, zonjë? Ne kemi ardhur me respektin më të madh, të përulem, si prefekte që je, kërkoj nga ju të na mbështesni. Ose do t’i nisim email kryeministrit dhe presidentit. Dhe po u ngritëm ne, atëherë, përderisa ti e mbyll ndërmarrjen e gjelbërimit, taksën pse ua merr?