Liderët opozitarë u mblodhën sot në parlamentin izraelit, Shqipëria pa përfaqësues! Berisha “refuzoi” takimin me Ramën dhe shkoi në Strasburg

Rreth 20 deputetë nga shtete të ndryshme evropiane, ishin sot pjesë e një konference të përbashkët ndërkombëtare në parlamentin Knessetit në Izrael me temë diskutimi luftën kundër Antisemitizmit. Në mbledhje morën pjesë liderë të partive të djathta, ku në mesin e të ftuarve ishte dhe Shqipëria, por pa një lider pjesëmarrës.
Vetë kryetari i partisë më të madhe opozitare në Shqipëri, Sali Berisha ndodhej sot në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg, duke zgjedhur kështu të mos jetë në të njëjtin vend me kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit ndodhet në Izrael ku është pritur në takim nga homologu i tij Benjamin Netanyahu dhe kryetari i parlamentit Amir Ohana.
Konferenca në parlamentin izraelit u udhëhoq nga ministri për Çështjet e Diasporës, Amichai Chikli, teksa ligjvënësit evropianë paralajmëruan për rolin e Islamit radikal në antisemitizëm, dështimet e politikave evropiane në frenimin e urrejtjes në rritje, rëndësinë e arsimit dhe atë që ata e përshkruan si paqartësi morale dhe politike mbi urrejtjen anti-hebraike që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit.
Ndërkohë ditën e nesërme, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, do të zhvillohet një konferencë me pjesëmarrës kryeministrin Edi Rama, liderë të vendeve të tjera dhe presidentin izraelit Isaac Hezog, të cilët do të mbajnë dhe fjalime.