Macron akuzon SHBA-në se po i “kthen shpinën” aleatëve: Po jetojmë në një botë fuqish të mëdha me një tundimin për ta ndarë botën

Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi të enjten se Shtetet e Bashkuara po “largohen gradualisht” nga disa prej aleatëve të tyre dhe po “çlirohen nga rregullat ndërkombëtare”, duke ofruar disa nga kritikat e tij më të ashpra deri më tani ndaj politikave të Uashingtonit nën presidencën e Donald Trump.

Macron mbajti fjalimin e tij vjetor para ambasadorëve francezë, ndërsa fuqitë evropiane po përpiqeshin të gjenin një përgjigje të koordinuar ndaj kapjes së udhëheqësit të Venezuelës, Nicolas Maduro, nga Uashingtoni dhe planeve të presidentit amerikan për Groenlandën.

“Shtetet e Bashkuara janë një fuqi e konsoliduar, por që gradualisht po largohet nga disa prej aleatëve të saj dhe po çlirohet nga rregullat ndërkombëtare që ende i promovonte kohët e fundit”, u tha Macron ambasadorëve në Pallatin Elysee.

“Po jetojmë në një botë fuqish të mëdha me një tundim të vërtetë për ta ndarë botën”, tha ai, duke hedhur poshtë atë që e përshkroi si një “kolonializëm të ri dhe imperializëm të ri”.

Ndërsa ai kritikoi si “agresivitetin tregtar gjithnjë e më të pakufizuar” të Kinës ashtu edhe Rusinë si një “fuqi destabilizuese”, lufta gati katërvjeçare e së cilës në Ukrainë nuk ka fund në horizont, vërejtjet e tij për Shtetet e Bashkuara spikatën më shumë.

Megjithatë, Macron nuk bëri thirrje për një ndërprerje të marrëdhënieve me Uashingtonin, pasi të dërguarit e SHBA-së më parë këtë javë morën pjesë në një samit kyç në Paris për të diskutuar garancitë e sigurisë për të mbështetur çdo armëpushim të mundshëm që do t’i jepte fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës

Back to top button
LAJMET E FUNDIT